30 Tetor, 2021 - 10:30 pm
Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Branko Merxhanit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka shfaqur, ekspozitën kushtuar njërës prej figurave më interesante, e në shumë aspekte më aktuale të mendimit e publicistikës shqiptare.
Ekspozita rindërton rrugëtimin e veprimtarisë së tij 16-vjeçare në Shqipëri, gjatë të cilit Merxhani u bë një ndër figurat më ndikuese në botën kulturore shqiptare.
Rrugëtimi fillon, natyrisht, me shkrimet e tij të para në gazetën “Demokratia”, të botuar në Gjirokastër, duke filluar nga viti 1927.
Ekspozita pasqyron veprimtarinë e tij në disa prej organeve më të rëndësishme të shtypit të kohës, si te të përmuajshmet “Illyria” dhe “Minerva”, apo te “Koha e re”, e drejtuar nga Petro Marko. Por emri i Branko Merxhanit lidhet, para së gjithash, me revistën e përmuajshme ”Përpjekja Shqiptare”, të botuar prej tij nga viti 1936 deri në vitin 1939, vit ky kur ai largohet nga Shqipëria, pas pushtimit Italian, për të mos u kthyer më kurrë.
E veçanta e kësaj ekspozite është përfshirja në të e një sërë materialesh arkivore origjinale, në sajë të bashkëpunimit me Arkivin e Shtetit. Po ashtu, në të ekspozohet dorëshkrimi i një drame të tij të pabotuar. Për ta bërë ekspozitën sa më të plotë, do të shfaqet dhe një dokumentar i shkurtër kushtuar figurës dhe veprës së Branko Merxhanit, prodhim i televizionit “Top Channel”, me autor Artan Puton.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 5 nëntor 2021./KultPlus.com