6 Shkurt, 2022 - 5:49 pm
Riza Lushta është një ndër futbollistët e parë nga Kosova me karrierë të pasur ndërkombëtare, i cili kulmin e karrierës e arriti në vitet e 40-ta në Itali, me klubin më të trofeshëm italian, Juventus, përcjell KultPlus.
Sulmuesi nga Mitrovica karrierën e filloi në klubin e tij të vendlindjes, KF Trepça, për të vazhduar më pas në SK Tirana, ku me këtë skuadër fitoi katër tituj kampioni (1934, 1936, 1937 dhe 1939) dhe një herë Kupën e Shqipërisë (1939).
Shkëlqimin e arriti në vitin 1942, kur me skuadrën e Juventusit e fitoi Kupën e Italisë, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kësaj gare me 8 gola të shënuara, derisa në finale u shpallë lojtari i ndeshjes duke realizuar hat-trick ndaj Milanit, për fitoren 4-1 të skuadrës së tij.
Përveq Juventusit ka luajtur edhe në skuadra të tjera si Bari, Napoli, Alessandria, Siena, Forlí e Rapallo në Itali, si dhe AS Cannes në Francë.
Lushta zë vend të veçantë në historinë e ligës Serie A, me 143 paraqitje dhe 60 gola të shënuara.
Ai e përmbylli karrierën e tij në vitin 1954 në moshën 38 vjeçare, ndërsa ndërroi jetë në vitin 1997 në moshën 81 vjeçare.
Për nder të tij, sot stadiumi i KF Trepçës ’89 në Mitrovicë mbanë emrin stadiumi “Riza Lushta”./ KultPlus.com