7 Janar, 2025 - 3:30 pm
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujtoi sot arsimtarin e “Mësonjëtores shqipe”, Hafiz Ali Korçën, për të cilin atdheu mbizotëronte mbi ndasitë.
Ishte pikërisht hafiz Ali Korça i cili në punimet e Kongresit të Manastirit mbështeti mendimin e françeskanit Gjergj Fishta.
Ali Korça, biri i Iljas efendiut, ka lindur në vitin 1866 në qytetin e Korçës. Mësimet e para i mori në vendlindje. Studimet e larta i kreu në Stamboll. Mbasi kreu studimet u kthye në vendlindje dhe filloi të jepte mësim në shkollën shqipe të Korçës, ku jepte gjuhë osmane, matematikë, shkrim dhe drejtëshkrim të gjuhës turke.
Zotëronte shumë mirë arabisht, persisht, osmanisht dhe frëngjisht. Në vitin 1890 emërohet mësues në shkollën rushdije të Korçës, dhe më mbas kaloi në shkollën idadije, ku dha lëndët gjeografi dhe matematikë. Në vitin 1903 u emërua mësues gjeografie dhe historie në shkollën idadije të Spartës në Anadoll. Ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Dibrës (1909). Ka mbajtur fjalimin në gjuhën frënge, me ardhjen e Princ Vidit (1914). Në vitin 1916 ishte drejtori zyrës së arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme. Në periudhën 1918-1924 ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet dhe vendosjen e diktaturës, hafiz Ali Korça, për shkak të bindjeve dhe qëndrimit të tij, u burgos dhe u internua. Vitet e fundit të jetës i kaloi në vetmi, në Kavajë, ku ndërroi jetë më 7 janar 1957./atsh/KultPlus.com