13 Prill, 2023 - 7:30 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot intelektualin, financierin, ish-ministrin e shtetit shqiptar, Shuk Gurakuqi.
Shuk Gurakuqi lindi në Shkodër dhe studioi në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në vendlindje. Ka punuar fillimisht si arkëtar në Doganën e Shkodrës, si administrator i disa firmave private ne Shkodër dhe gjatë pushtimit austro-hungarez, si shef i Seksionit te Financave në Bashkinë Shkodër.
Gjatë viteve 1920-24, zgjidhet dy herë si deputet i qarkut Shkodër Njëkohësisht, drejton organin e shtypit “Ora e Maleve” bashkë me Patët Anton Harapin dhe Dom Lazër Shantonë. Ndonëse nuk merr pjesë në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924, ai ishte një mbështetës i grupit antizogist dhe për këtë arsye mbetet në ekzil gjatë qeverisjes së Mbretit Zog.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe drejton firmën tregtare “Vllazën Prennushi. Në qeverinë e Mustafa Krujës, Shuk Gurakuqi mbajti për dy vjet postin e Ministrit të Financave. Me ardhjen në pushtet të komunistëve. Gurakuqi arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm nga Gjyqi Special.
Në vitin 1949 dënimi u ul në 20 vjet. Vuajti gjithsej 17 vjet burg, ku pjesën më të madhe e kaloi në burgun famëkeq të Burrelit. Periudhën pas burgut e kaloi në varfëri dhe lexime shkencore. Ndërroi jetë më 13 prill 1966 në Shkodër./atsh/KultPlus.com