18 Gusht, 2023 - 4:57 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot klerikun Imzot Irine Banushin (18 gusht 1906 – 25 nëntor 1973), peshkopin që u dënua me burg dy herë, u internua në Manastirin e Ardenicës, dhe pas ndalimit të fesë më 1967, punoi në ndërmarrjen e ndërtimit të hekurudhës.
Irine Banushi ishte autor i disa veprave teologjike dhe njëkohësisht profesor i latinishtes në Gjimnazin e Tiranës. I përndjekur nga autoritetet fashiste gjatë pushtimit, por kjo nuk e pengoi t’i kushtohej besimit, duke u caktuar episkop i Apolonisë e më pas i Gjirokastrës. Me ardhjen e komunizmit, ishte kundër statutit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale që cenonte parimet baze të besimit dhe krijonte marrëdhënie varësie me pushtetin komunist.
U arrestua më 1946 dhe u dënua fillimisht me 5 vjet burg në Tiranë. U lirua në vitin 1949, për t’u dënuar sërish më 1952, me akuzën se kishte zhvilluar aktivitet kundër KOASH dhe ka nxitur elementë kundër Kryesisë së kishës. Mbylli jetën në varfëri dhe i sëmurë në vitin 1973, i damkosur si i deklasuar dhe nën survejimin e Sigurimit.