9 Gusht, 2022 - 10:00 pm
Marko Boçari lindi në Sul të Çamërisë, më 1788 dhe ra në betejë më 9 gusht 1823.
Ishte një nga djemtë e Kiço Boçarit, prijës i krahinës së Sulit. Bashkë me familjen dhe gjithë suljotët u largua 1803 drejt Korfuzit, nën presionin e Ali Pashë Tepelenës, që kërkonte të kontrollonte gjithë zonën rreth Janinës. Aty ai ishte pjesë aktive e Regjimentit Shqiptar (Regiment Albanais) të Ushtrisë Franceze. Kulmin e aftësive të tij luftarake e tregoi me fillimin e kryengritjes greke kundër osmanëve, më 1821, ku morën pjesë edhe mijra shqiptarë të tjerë nga të dyja anët e luftës. Ai luajti rol të rëndësishëm në rrethimin e parë të Mesolongjit, që ishte kthyer në simbol rezistence.
Më 9 gusht 1823, Boçari në krye të 350 suljotëve u hodh në sulm kundër trupave osmane. Suljotët u shkaktuan dëme të mëdha trupave osmane, por Boçari ra në betejë. Për të nderuar kujtimin e tij, e varrosën në Mesolongj. Varri iu shkatërrua, pas rënies së Mesolongjit, nga trupat osmane që pushtuan qytetin.
Marko Boçari ka një kontribut të veçantë edhe në fushën kulturore, duke na dhënë një prej teksteve më të vjetra në dialektin e shqiptarëve të Çamërisë, teksa sa ishte në Korfuz, hartoi dhe botoi fjalorin shqip-greqisht, ku shqipja i përkiste atij dialekti.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e përkujton sot figurën e tij, duke bërë publike një skicë portret e shkëputur nga Fototeka e AQSH dhe një këngë folklorike e mbledhur në Vuno të Himarës nga Kol Kamsi./KultPlus.com