12 Mars, 2023 - 5:45 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot në ditën e lindjes martiren e parë të Kishës Katolike Shqiptare Marie Tucin, e cila u burgos dhe u torturua barbarisht gjatë diktaturës.
Marie Tuci lindi në 12 mars 1928 në fshatin Ndërfushaz të Mirditës. Ajo studioi në Shkollën Normale të Motrave Stigmatine në Shkodër ku iu përkushtua fesë katolike. Më pas u dërgua të ushtronte profesionin e mësueses në Mirditë.
Në vitin 1946, regjimi komunist ndërmori një sërë masash ekstreme të cilat luftuan ashpër fenë. Duke qenë një ndjekëse e devotshme e fesë katolike, Marie Tuci shprehu hapur kundërshtimin e saj ndaj këtij persekutimi.
Vrasja e Bardhok Bibës, sekretarit të Partisë Komuniste në Mirditë, do të pasonte me marrjen e masave ndëshkimore të ashpra për shumë familje të këtij qyteti, ku u përfshi edhe familja e Marie Tucit, Gjonmarkaj.
Këto familje dyshoheshin për ndihmën që i kishin dhënë organizatorëve të vrasjes së sekretarit, për t’u arratisur në Jugosllavi. Ndaj në gusht të vitit 1949 u arrestua e akuzuar për “qëndrimin e saj kundër pushtetit popullor dhe ndihmën që familja e saj i kishte dhënë të arratisurve”.
Marie Tuci ndërroi jetë nga torturat çnjerëzore në spitalin e burgut më 24 tetor të vitit 1950.
Ajo është simboli i gruas që di të mbrojë bindjet e veta dhe t’i shpalosë ato pavarësisht rrethanave që janë kundër saj./atsh/KultPlus.com