Përkujtohet në ditën e lindjes kleriku dhe publicisti Vinçens Prennushi

4 Shtator, 2021 - 1:48 pm

Drejtoria e Arkivave përkujtoi sot në ditën e lindjes klerikun Vinçens Prennushi.

Më 4 shtator 1885, në Shkodër ka lindur Vinçens Prennushi. Eseist, publicist, poet, folklorist, përkthyes, klerik dhe shenjtor shqiptar.

I pagëzuar me emrin Kolë, Vinçensi mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në seminarin e Troshanit, ku iu kushtua Urdhrit Françeskan (OFM). Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë.

Më 14 mars 1914, ai mbajti fjalimin me rastin e ngritjes së flamurit kombëtar në kalanë e Rozafatit. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare” në Shkodër. Ishte drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout”.

Botoi disa vepra, ndër të cilat “Fjala e Zotit”, “Grueja shqyptare”, dramën “E tradhtuemja”, përmbledhjen poetike “Gjeth’ e Lule”, broshurën “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, në të cilën jep mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Gjithashtu edhe ka përkthyer, ndër të cilat, “Fabiola” apo “Kisha nën dhè e mbi dhè” e Kardinalit Visseman; disa vepra të Dantes; romanin “Quo Vadis” të E.Sienkievicz-it dhe romanin e Silvio Pelicos “Burgjet e mia”.

Më 19 mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi ipeshkëv të Sapës, detyrë që e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua Arqipeshkëv Metropolitan i Dioqezës së Durrësit. Pas arrestimit të Don Mikel Koliqit, Imzot Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.

Ai ka deklaruar se lufta e tij ishte kundër komunistëve dhe se shpresonin që kur të formohej pushteti, me zbarkimin e amerikanëve, Partia Komuniste të mos ekzistonte.

U arrestua më 19 maj 1947, ndërsa vdiq më 19 mars 1949 në burgun e Durrësit. Më 8 maj 1993 u shpall “Martir i Demokracisë”.

Më 26 prill 2016 Papa Françesku lëshoi dekretin e martirizimit. Lumnimi dhe shenjtërimi i tij u bë më 5 nëntor 2016 në Shkodër.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi me këtë rast një fotografi të një grupi klerikësh françeskanë ku mes tyre Vinçens Prennushi, Anton Harapi, P. Bardhi, P. Marini, etj./KultPlus.com

Të ngjajshme