28 Nëntor, 2024 - 10:46 am
Në muzeun e Krujës u përkujtua mbrëmjen e djeshme momenti historik dhe i paharrueshëm për kombin tonë, ngritja e flamurit nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë.
Ky akt heroik nuk ishte vetëm ngritja e një simboli, por një thirrje për liri, bashkim dhe krenari kombëtare.
Në ceremoninë e organizuar në Krujë ku u ngrit flamuri shqiptar të pranishmit nderuan këtë ditë me zemrat plot dashuri për atdheun dhe për vlerat që na bashkojnë si popull.
Më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe forcat e tij çlirojnë Krujën dhe ngrenë flamurin kuq e zi.
Pasi kishte braktisur osmanët në betejën e Nishit më 3 nëntor, Skënderbeu, në krye të 300 kalorësve, u kthye në trojet e tij dhe u bë sundimtar i Krujës, duke ringjallur Principatën e Kastriotëve.
Sipas kujtimeve të Marin Barletit: “Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.
Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.
Shembulli i tij nxiti thuajse të gjithë princat shqiptarë të ngriheshin kundër sundimit osman; në përpjekje për bashkim forcash, më 2 mars 1444, Skënderbeu i thirri ata në Lezhë për një kuvend ku pavarësisht nga grindjet mes tyre, themeluan një bashkim, i njohur në histori si Lidhja shqiptare e Lezhës./atsh/KultPlus.com