22 Prill, 2024 - 10:31 am
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot në 100-vjetorin e vdekjes, Heroin e Popullit, Avni Rustemin.
Avni Rustemi lindi në Libohovë. Në mars 1908 ndërpreu mësimet në Medresenë e Janinës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Më pas ndoqi Shkollën Normale të Elbasanit (1909-1910) dhe kolegjin francez të Lozanës (1912-1913), ku themeloi shoqatën patriotike të studentëve shqiptarë “Burimi”. Në vitin 1914 mori pjesë në trupat vullnetare që luftuan kundër bandave të andartëve grekë.
Organizoi më 28 nëntor 1918 demostratën e popullit të Vlorës kundër trupave pushtuese italiane. Kreu kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër të Kalabrisë dhe më pas studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Romës (1919).
Avni Rustemi, më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Toptanin. Në fund të vitit 1920 u kthye në Shqipëri dhe filloi menjëherë ngritjen e organizatave profesionale të arsimtarëve, duke bashkuar të gjitha shoqëritë demokratike të vendit në federatën “Atdheu” (1921).
Më pas themeloi shoqërinë “Bashkimi”. Avni Rustemi vdiq pas një atentati që iu bë në Tiranë më 22 prill 1924. Në varrimin e tij në Vlorë me një pjesëmarrje të madhe të popullit u mbajtën fjalime të zjarrta nga përfaqësuesit e forcave demokratike. Kjo ngjarje afroi shpërthimin e Lëvizjes së Qershorit (1924)./atsh/KultPlus.com