30 Shtator, 2024 - 12:44 pm
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot muzikantin dhe atdhetarin e njohur shqiptar Spiridon Ilo, i cili lindi më 30 shtator të vitit 1876, në Korçë.
Ilo mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë. Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për pllakat e gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare.
Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.
Ilo kreu regjistrimin e parë të Himnit Kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Giuseppe Mauro.
Në vitet ’20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”. Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./atsh/KultPlus.com