18 Janar, 2020 - 2:28 pm
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, përkujtoi sot në 87-vjetorin e lindjes shkrimtarin, përkthyesin dhe politikanin Pjetër Arbnori, i quajtur dhe “Mandela i Ballkanit”, për shkak të kohës së gjatë të kaluar në burgjet e diktaturës komuniste për 28 vjet.
“Arbnori kontribuoi në kulturën shqiptare me disa vepra letrare si “Mugujt e Mesjetës”, “Shtëpia e Mbetur Përgjysmë”, “Vorbulla” e të tjerë. Mirënjohje dhe respekt për figurën e tij të pavdekshme”, shprehet Margariti.
Pjetër Arbnori lindi më datë 18 janar të vitit 1935. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat partizane vranë babain e tij. Qëndrimi antikomunist i familjes së tij do të ishte shkak që Pjetër Arbnorit t’i mohohej e drejta për të vazhduar shkollën e lartë edhe pse të mesmen e kishte përfunduar me rezultate të shkëlqyera.
Duke mos u pajtuar asnjëherë me vijën politike të regjimit komunist, ai dhe intelektualë të tjerë krijuan në fshehtësi Lëvizjen Social Demokrate, e cila u pikas nga Sigurimi i Shtetit.
Fillimisht atij iu dha dënimi me vdekje, por ky dënim iu kthye në 25 vjet burg, sepse autoritetet shpresonin akoma që nëpërmjet Arbnorit të zbulonin pjesëtarë të tjerë të organizatës së fshehtë ku ai bënte pjesë. Pas përfundimit të dënimit, ai u ridënua, duke vuajtur 28 vite në burgun e Burrelit.
U lirua në vitin 1989, vite ku ndjehej era e ndryshimit. Ishte mjaft aktiv në luftën për rrëzimin e regjimit komunist si dhe bashkëthemelues i Partisë Demokratike në Shkodër. Në vitet 1992-1997 shërbeu si kryetar Kuvendi. Pas vitit 1997 ai bëri përpjekje që censura e shtetit në media të eliminohej. Ndryshimet në ligj që pasuan në këtë fushë u quajtën “Amendamenti Arbnori”.
Rreth krijimtarisë së tij letrare rendisim: “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit” “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Letër nga burgu” etj.
Pjetër Arbnori vdiq në Itali, në korrik të vitit 2006./atsh/ KultPlus.com