16 Prill, 2024 - 11:18 am
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në ditën e lindjes, poetin arbëresh, Jul Variboba. Ai konsiderohet si përfaqësuesi kryesor i letërsisë së vjetër arbëreshe që lëvroi temën fetare për qëllime kishtare dhe mësimore.
Jul Variboba (1724-1788) lindi në katundin Mbuzat të Kozencës në Kalabri. Mësimet e para i mori në kolegjin e San Benedetos në Ulano. Në vijim ka shërbyer disa kohë si prift në fshatin e tij të lindjes.
Në Romë kaloi vitet e tjera të jetës, ku më 1762 botoi vëllimin poetik “Gjella (jeta) e Shën Mërisë Virgjër”, poemë e gjatë në dy pjesë bashkë me një tufë vjershash. Subjekti fetar i kësaj vepre është larguar mjaft nga tradita krishterë e paraqitjes së figurave biblike, të cilat Variboba i ka përshkruar si njerëz të zakonshëm, në mjedise vallesh e vajesh të ngjashme me ato të poezisë popullore arbëreshe. Libri fillon me një letër më anën e së cilës poeti i drejtohet Shën Mërisë, për t’i treguar përse ka ndërmarrë botimin. Vepra “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” përbëhet prej dy poemash: e para titullohet “Gjella e Shën Mërisë” dhe e dyta “Gjella e Shën Bambinit”. Ndërsa në pjesën tjetër të librit autori ka përmbledhur disa vjersha shpirtërore./atsh/KultPlus.com