20 Qershor, 2024 - 3:32 pm
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot shkrimtarin dhe poetin lirik Nexhat Hakiu (20 qershor 1917- 18 qershor 1978).
Nexhat Hakiu lindi në qytetin e Vlorës, në qershor të vitit 1917. Përfundoi shkollën e mesme tregtare në vendlindje dhe më vonë u diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut.
Në vitet ’30-’40, ai ishte një nga emrat më të lakuar në rrethet letrare. Fillimisht punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë e më pas u bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro-kulturore të kohës si “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare”.
Bashkë me emra të tjerë të dëgjuar të kulturës si Mitrush Kuteli, Vedat Kokona dhe Sterjo Spasse, ishte ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Gjithashtu drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”, në të cilat shkruante me pseudonimet Ali Dërvella e Nexhat Mahmut Hakiu. Krahas botimeve në shtypin e kohës, botoi vëllimet poetike “Këngët e zambares” (1939) dhe “Këngë gjaku” (1944). Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët” (1977).
Gjatë periudhës së komunizmit u dënua për motive politike, prej dhjetorit të vitit 1944 deri në korrik të vitit 1945 dhe nga shkurti i vitit 1951 deri në prill të vitit 1952. U nda nga jeta në moshën 61 vjeçare, në qershor të vitit 1978./atsh/KultPlus.com