4 Tetor, 2022 - 3:06 pm
Më 4 tetor 1818 lindi Françesco Krispi revolucionar arbëresh, kryeministër i Italisë, atdhetar, luftëtar për të drejtat shoqërore dhe burrështetas i njohur.
Ishte ndër protagonistët kryesorë të Rilindjes italiane dhe një mik i ngushtë e mbështetës i Giuseppe Mazzinos dhe Giuseppe Garibaldit.
Krispi konsiderohet si njëri nga arkitektët e bashkimit të Italisë në vitin 1860. Lindi në një familje arbëreshe në Robera të Sicilisë. Kreu seminarin greko-shqiptar të Palermos ku edhe u diplomua.
Krispi ishte kryeministër i Italisë për gjashtë vjet, nga 1887 deri në 1891 dhe përsëri nga 1893 deri në 1896; ai ishte kryeministri i parë i Italisë Jugore.
Krispi ishte i njohur ndërkombëtarisht. Fillimisht, një atdhetar italian i ndritur dhe liberal demokrat, më vonë u njoh si kryeministër i zjarrtë e autoritar. Karriera e tij përfundoi mes polemikave dhe dështimeve: ai u përfshi në një skandal të madh bankar dhe ra nga pushteti në 1896 pas humbjes shkatërruese të Betejës së Adva, e cila ndikoi ambiciet koloniale të Italisë mbi Etiopinë. Vdiq më 12 gusht të vitit 1901./ KultPlus.com