9 Korrik, 2024 - 10:30 am
Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot, Jani Vreton, rilindasin e shquar shqiptar, i ndarë nga jeta më 9 korrik 1900.
U lind në vitin 1822. Ishte shkrimtar, botues, figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare. Lindi në Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës më 14 janar 1822. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga 1843 deri 1847 ndoqi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë.
Më 1854 u shpërngul në Konstandinopojë. Në fillimin e viteve ‘70 ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid Pashë Vlora. Gjithashtu, mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji, si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali.
Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Në maj 1878, botoi veprën “Apologjia” në greqisht, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre.
Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”, të cilës do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pikërisht në këtë kohë ai u shkishërua nga mitropoliti ortodoks i Gjirokastrës. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi me energji për botimin e organit periodik “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, e cila doli në Konstandinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885./atsh/KultPlus.com