9 Korrik, 2022 - 6:39 pm
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka kujtuar në ditën e saj të lindjes, dirigjenten e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi, e cila ishte njëkohësisht një mezzosoprano dhe nga emrat më me peshë në historinë e artit dhe kulturës shqiptare. Mjeshtrja e Madhe, Rozmari Jorganxhi, sot do të ishte 85 vjeç. Ajo u nda nga jeta 2 vjet më parë.
Rozmari Jorganxhi e nisi karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike në TKOB, pas studimeve të larta në Moskë. Ndërsa gjatë viteve 1967-1984 ka dirigjuar korin e TKOB, duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Si soliste lirike ka realizuar më shumë sukses një galeri të madhe personazhesh nga operat shqiptare dhe të huaja, ndër të cilat TKOB vecon rolet në operat: “Jollanta”; “Nusja e shitur”; “Evgjeni Onjegin”; “Cavalleria Rusticana”; “Mrika”; “Madama Butterfly”; “Lulja e kujtimit”; “Princesha e Çardashit”; “Rigoletto”; “Skënderbeu”, etj.
Si dirigjente e korit, Jorganxhi ka përgatitur dhe vënë në skenë dhjetëra vepra shqiptare dhe të huaja. Profesionalizmin e saj si këngëtare profesioniste e tregoi dhe përtej kufijve të vendit, në Teatrin “Giuseppe Verdi” të Triestes, ku këndoi për 10 vite rresht. Një kontribut të veçantë ka dhënë edhe në fushën e pedagogjisë, ku nën drejtimin e saj janë diplomuar shumë studentë, që sot vazhdojnë aktivitetin e tyre brenda e jashtë vendit. Për aktivitetin e saj artistik, Rozmari Jorganxhi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë dhe në vitin 2017, u nderua me titullin “Mjeshtre e Madhe”./atsh/ KultPlus.com