29 Gusht, 2023 - 3:44 pm
Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot këngëtarin, artistin, diplomatin Sherif Merdani (14 maj 1940-29 gusht 2021).
Merdani lindi në Korçë dhe u rrit me pasionin për muzikën që në vegjëli. Vinte nga një familje që për kohën cilësohej si me “biografi të keqe”.
Sherif Merdani mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike dhe u caktua mësues në fshatin Backë të Skraparit. Falë mbështetjes së kompozitorit Agim Krajka, Sherif Merdanit iu dha mundësia të performonte në Estradën e Korçës.
Gjatë kohës që u vendos në Tiranë me studime, falë talentit që kishte, ai u mbeshtet nga Vaçe Zela për t’u njohur si këngëtar.
Fillimisht mori pjesë në Festivalin e 8-të Këngës, dhe në vazhdim në festivalet pasardhëse.
Kulmin si artist do e arrinte në Festivalin, e 11-të. Do të ishte ky festival që do të shërbente si pikënisje e sulmit ndaj kulturës, artit dhe shfaqjeve të huaja, sulm që u thellua zyrtarisht nëpërmjet Plenumit IV të KQ të PPSH në qershor të vitit 1973. Mes shumë kolegëve artistë, Sherit Merdani arrestohet në Librazhd ku asokohe punonte në Shtëpinë e Kulturës.
Gjykata e Rrethit të Librazhdit e dënoi me 10 vjet heqje lirie me akuzën “agjitacion dhe propagandë”. Teksa po vuante denimin në Spaç, u ridënua me 10 vjet të tjera. Do të lirohej më 1989, pas 16 vitesh heqje lirie në Spaç, Burrel e Qafë Bari.
Me ardhjen e demokracisë, Sherif Merdani caktohet si diplomat në Ambasadën Shqiptare Romë dhe më vonë në Bukuresht. Ka punuar edhe si Drejtor i Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërron jetë në Tiranë në vitin 2021./atsh/KultPlus.com