13 Qershor, 2024 - 12:41 pm
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” përkujtoi shkrimtarin dhe poetin Vehbi Skënderi.
Vehbi Skënderi lindi në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. Në vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Kreu fillimisht shkollën e mesme profesionale në degën rusisht e në vitet 1956-1961 kreu Fakultetin e Histori-Filologjisë me rezultate shumë të mira. Veprimtarinë si gazetar do ta fillonte në gazetën “Arma e Mbrojtjes”.
Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, u pranua në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë. Më 1953 botoi librin e parë poetik, “Këngët e para”. Ka botuar librat poetike “Vjersha” (1958), “Fletë nga ditari im” (1964), “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vdekja e Ofelisë” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura- “Kolana e poezisë shqipe” (1973), “Nxitoj” (1987), “Hëna e vjedhur” (2000), “Zvicra, Shqipëria ime” (2004).
Për “Fletë nga ditari im”, në vitin 1966, Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Po atë vit, me një grup të shquar intelektualësh, ai përgatiti një pamflet dhe e dorëzoi për botim në “Zërin e Popullit”. Në këtë pamflet kritikoheshin rëndë Instituti i Historisë dhe Instituti i Gjuhësisë. Pamfleti nuk u botua nga gazeta, e cila ia dorëzoi dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të u mor Byroja Politike.
Në Komitetin Qendror, gjatë seancave të terrorit të gjyqit politik e akuzonin për veprimtari antiparti, sepse sipas tyre sulmonte institucionet e diktaturës dhe si nacionalist meqë kishte deklaruar se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë.
Më 1967, për pesë vjet rresht Vehbi Skënderi, tashmë autor i ndaluar, u dërgua në Vaun e Dejës i dënuar me punë korrektuese. Më 1974 Sigurimi, nën udhëzimet e Sekretarit të Parë të Tiranës, sajon të tjera raprezalje kundër Vehbi Skënderit, i cili përjashtohet nga partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga puna, i digjen librat dhe i ndalohet botimi.
Më 1975 internohet në Shkodër, por vendimi anullohet nga organet e rrethit të Shkodrës. Më 1976 internohet në Zall-Mner të Tiranës, por edhe ky vendim anullohet. Pas katër vitesh pa punë, ai caktohet punëtor transporti në Kombinatin Poligrafik. Del në pension në vitin 1987 teksa kryente funksionin e korrektorit në repartin e dispensave në Kombinatin Poligrafik. Prej 15 qershorit të vitit 1996 Vehbi Skënderi jetoi dhe krijoi në Zvicër ku ndërroi jetë në 13 qershor 2011./atsh/KultPlus.com