13 Shkurt, 2023 - 10:37 am
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot ish-drejtorin e Radio Televizionit Shqiptar, Todi Lubonjën.
Lubonja lindi më 13 shkurt 1923. Mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Qe shkrimtar dhe drejtues i medieve kryesore deri në vitin 1973. Polemika që pasoi edicionin e 11-të të Festivalit të Këngës dhe zemërata e shkaktuar në radhët e udhëheqjes së regjimit komunist i kushtuan lirinë.
“Veshje dhe shfaqje të huaja”, “me imitime dekadente”, “shfaqje disidente” etj, ishin vetëm disa prej frazave denoncuese, që arsyetuan ndërmarrjen e ndëshkimeve edhe për organizatorët dhe pjesëmarrësit e Festivalit.
Fillimisht, familja Lubonja u internua në Lezhë. Në 27 korrik 1974, shkrimtari u dënua me burg. Më 7 qershor 1987, do të lirohej pas 13 vjetëve në burgun e Burrelit. Me vendosjen e pluralizmit politik, iu dedikua shkrimit duke botuar libra autobiografikë me kujtime nga diktatura. Vdiq më 19 nëntor të vitit 2005.
DPA sjell një letër-ankesë për keqtrajtimin e të dënuarit Lubonja, drejtuar Drejtorisë së Kontrollit të Veprimeve Hetimore. / KultPlus.com