24 Gusht, 2023 - 12:55 pm
Më 24 gusht 1913, shteti i pavarur shqiptar formoi të parën gazetë zyrtare të quajtur “Përlindja e Shqipëniës”.
Gazeta vijoi të botohej dy herë në javë deri në vitin 1914. Drejtuesit e kësaj gazete ishin Dhimitër Berati, një nga figurat më të njohura të kohës, si edhe publicisti Mihal Grameno. Kjo gazetë është pararendësja e gazetës që më pas u quajt “Fletorja Zyrtare”.
“Përlindja e Shqipëniës” mbështeti qeverinë e Vlorës të udhëhequr nga Ismail Qemali. Shumica e kryeartikujve ishin politikë dhe i kushtoheshin mbrojtjes së interesave të vendit dhe luftës ndaj faktorëve kundërshtarë të brendshëm e të jashtëm, me qëllim bashkimin e përparimin e tij.
Në këtë gazetë u botuan të gjitha ligjet e kohës, sikurse ai për administratën civile, kanuni i Zhurisë e shumë ligje të tjera në të gjitha fushat e jetës publike.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një pamje të kësaj gazete dhe një shënim nga Ministri i atëhershëm i Financave, Gurakuqi, për mbulimin e shpenzimeve të kësaj gazete. Po ashtu, paraqitet ligji i përkohshëm i Administratës Civile të Shqipërisë nxjerrë nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe botuar në gazetën “Përlindja e Shqipëniës”./ atsh / KultPlus.com