31 Gusht, 2022 - 4:20 pm
Ministrja e Kulturës, Margariti, e ka mbyllur “muajin e fotografisë” përgjatë të cilit eksploruam një pjesë nga vepra e fotografëve shqiptarë që lanë gjurmë në historinë e fotografisë.
Fotoja që përmbylli vazhdën e përshëndetjeve mëngjesore përmes fotografisë, sjell imazhin e ngritjes së Kishës së Madhe, në Shkodër. Ajo është e realizuar nga “mjeshtri që themeloi dinastinë më të famshme të fotografëve, Pjetër Marubi”, shkruan ministrja Margariti në rrjetet sociale. Fotoja mban diçiturën “punëtorë shqiptarë e të huaj duke punuar tek Kisha e Madhe e Shkodrës”.
Pjetër Marubi, ishte një italian nga Piacenza, i cili pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e zhvilloi në qytetin e Shkodrës.
Me ardhjen në Shqipëri, ai hapi të parën studio fotografike, të cilën e emërtoi “Dritëshkronja”, duke sjellë shqip fjalën fotografi, pra të shkruash me dritë. Studioja u themelua më 1856 e sot mban emrin Fototeka Kombëtare “Marubi”.
Pjetër Marubi përveç se fotograf, ishte edhe skulptor, arkitekt e piktor.
Ai la një trashëgimi të pasur fotografike, e cila përtej vlerave artistike, ka vlera dokumentare e historike që dëshmojnë për periudhën në të cilën ai jetoi e veproi./ KultPlus.com