29 Shtator, 2022 - 5:36 pm
Sot në Prishtinë u mbyll punëtoria dy ditore ku u prezantuan Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore për sportin.
Në këtë diskutim pjesëmarrës ishin përfaqësues të komunitetit të sportit, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror e lokal dhe akterë tjerë njohës të kësaj fushe.
Koncept-dokumenti për sportin parasheh bazën analitike për ndryshimet e domosdoshme në legjislacionin dhe politikat përcjellëse të sportit dhe sektorëve ndërlidhës, ndërsa Strategjia shtetërore për sportin parasheh një vizion afatgjatë për zhvillimin e sportit.
Në hartimin e këtyre dokumenteve janë angazhuar zyrtarë të administratës shtetërore në dy nivelet e qeverisjes, ekspertë vendorë e të jashtëm, federatat e organizatat e sportit dhe palët e tjera relevante.
Ministri Çeku falenderoi të gjitha palët për angazhimin dhe punën e deri tanishme ndërsa u bëri thirrje që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre deri në finalizim të këtyre dy dokumenteve me rëndësi të madhe për fushën e sportit.
Synimi është që të dyja dokumentet të finalizohen brenda këtij viti dhe të dërgohen për miratim në qeveri dhe kuvend./ KultPlus.com