Përmbyse rendin!

8 Mars, 2021 - 12:44 pm

Gatimi, hekurosja, furnizimi, pastrimi e plot punë tjera të ngjashme, marrin shumicën e kohës së grave gjatë ditës. Duke qenë shpesh të varura ekonomikisht nga burrat e familjes, gratë detyrohen që të shërbejnë ushqim e të lajnë enët dhe rrobat për ta. Krejt kjo punë e madhe që bëjnë gratë shihet si obligim i natyrshëm i tyre për shkak të ndarjeve tradicionale të roleve gjinore.

Masat kufizuese dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia Covid-19, izoluan edhe më shumë gratë brenda shtëpive me përgjegjësitë e padrejta mbi punët e mirëmbajtjes dhe të kujdesit. Të dhënat tregojnë se tani gratë shpenzojnë kohë në këto punë pothuajse ekuivalentin e një pune me orar të plotë.

Gratë që kishin fatin të jenë të punësuara, punonin dyfish. Ndërkohë, shumicës tjetër që ishin të papuna i’u shtuan edhe më tepër obligimet e kujdesit ndaj anëtarëve të tjerë të familjes.

Edhe para pandemisë, gratë kanë kaluar mesatarisht tre herë më shumë orë sesa burrat në punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët.

Punët e shtëpisë janë nënçmuar historikisht dhe në fakt vazhdojnë të mos njihen as si punë. Në këtë mënyrë, gratë lëre më që po shfrytëzohen, por as nuk po ju vlerësohet angazhimi. Në rastet e ndarjes së pasurisë, si te baba ashtu edhe te burri, gratë konsiderohen si të huaja. Atyre nuk ju takon prona, sepse nuk ju njihet puna.

Duhet të njihet kontributi i grave brenda shtëpisë, në atë mënyrë që puna të ndahet barabartë. Duke qenë gjithë ditën në kuzhinë apo duke pastruar të palarat e të tjerëve, gratë nuk po arrijnë të shohin mundësinë e angazhimit në jetën shoqërore.

Punët e papaguara po izolojnë gratë brenda shtëpisë. Kjo duhet të ndryshoj.
Një tavolinë e ushqimit e shtruar me mund e delikatesë, u përmbys sot. Gratë duhet të çlirohen nga shtypja brenda dhe jashtë shtëpisë. Ndërhyrja në kushtet e shtëpisë është ndërhyrje në pabarazitë e shtresëzuara shoqërore.

Krahas kësaj, fuqizimi dhe pavarësimi i gruas është i kushtëzuar nga modeli ekonomik i cili duhet të ndërrojë në drejtim të ndryshimeve të thella strukturore. S’pranojmë të na zhvlerësohet puna e as të shfrytëzohemi nga shteti. T’i përmbysim rolet gjinore ashtu siç bëmë sot me tavolinën! /shota/ KultPlus.com

Të ngjajshme