16 Nëntor, 2019 - 5:59 pm
Italia shpalli gjendjen e emergjencës në Venecia, pasi niveli i ujit në qytetin Italian arriti në 1.87 metra, duke përmbytur bazilikën historike dhe duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike.
Me shumë se 80 për qind e qytetit të mbrojtur nga UNESCO, ishte nën ujë kur batica arriti pikun.
Kryeministri Italian Giuseppe Conte i përshkroi përmbytjet si një goditje në zemër të vendit, dhe njoftoi lëvrimin e shpejtë të fondeve për lehtësimin e situatës.
Ai tha se qeveria do të përshpejtonte ndërtimin e strukturave mbrojtëse në qytetin-lagunë, duke ju referuar kryesisht të ashtuquajturit projekti “Moisi”, një sistem barrierë hidraulike, që do të mbronte venecian në rastin e rritjes së nivelit të detit.
“Projekti është shoqëruar me polemika e skandale por jemi në fazën finale të tij. Nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër veçse ta përfundojmë në mënyrën më të shpejte dhe efikase”, deklaroi kryeministri.
Me shpalljen e gjendjes së emergjencës personat e prekur mund të sigurojnë deri në 5 mijë euro dëmshpërblim ndërsa bizneset deri në 20 mijë euro. Ndertimi.Info / KultPlus.com