2 Shkurt, 2023 - 9:59 am
Nën organizimin e Tamar Ziv, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, sot, 2 shkurt 2023, nga ora 17:30, në sallën kryesore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, do të zhvillohet një ceremoni për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Në mesin e folësve do të jenë Ambasadorja Ziv, Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Matthias Konrad, Zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, dhe Lekë Rezniqi trashëgimtar i Asllan Rezniqi, i cili kishte shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit dhe është njohur nga Qendra e Përkujtimit të Holokaustit “Yad Vashem” si “Fisnik mes Kombeve”.
Artistët kosovarë të njohur ndërkombëtarisht, Prof. Valton Beqiri, ish-ministër i Kulturës i Republikës së Kosovës, njëherësh kompozitor, pianist, aranzhues e dirigjent, dhe sopranoja Besa Llugiqi do t’i interpretojnë dy këngë që identifikohen me Holokaustin:
– Këngën “Eli, Eli, shelo yigamer le’olam” (“Zoti im”), të bazuar në poemën e titulluar “LeKeisarya” (Çezarea), të shkruar nga ish-luftëtarja e rezistencës hebreje hungareze e Luftës së Dytë Botërore, Hannah Szenes, të cilën kompozitori izraelit David Zehavi e shndërroi në këngë më 1945. Szenes e shkroi poemën ndërsa banonte në një kibucin Sdot Yam në Qarkun e Haifës të Shtetit të Izraelit i cili ndodhet në një distancë të shkurtë përgjatë bregut të Mesdheut nga qyteti i lashtë port i Çezaresë;
– Këngën “Ha’ayara Bo’eret” (“Qyteti i vogël po digjet”), teksti i së cilës buron nga poema e vitit 1936 “Es brennt” nga Mordechai Bertig, një poet dhe kompozitor polak me ndikim i periudhës së mesluftës, i vrarë nga nazistët më 1942.
Aktorja e talentuar, Fitore Jashari do të interpretojë një monolog bazuar në romanin e Annelies Marie “Anne” Frank, një vajzë hebreje e lindur në Gjermani, e cila mbante një ditar në të cilin dokumentonte jetën e fshehur nën persekutimin nazist.
Gjithashtu, do të ekranizohet dokumentari “Ata më dhanë jetë” (“They Gave Me Life”) me protagoniste Rena Quint, e mbijetuar e Holokaustit.
Në fund, do të ndizen gjashtë qirinj, një nga një, në kujtim të gjashtë milionë viktimave të Holokaustit, nga ana e SH.S. Ambasadores Ziv, Kryeministrit Kurti, Zëvendësambasadorit Konrad, Kryetarit të Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, si dhe Lekë Rezniqi dhe Zana Mustafa-Bukoshi, trashëgimtare e Faik Sharri dhe Sabrije Sharri, të cilët kishin shpëtuar hebrenj gjatë Holokaustit dhe janë njohur nga Yad Vashem si “Fisnikë mes Kombeve”. / KultPlus.com