16 Qershor, 2022 - 12:17 pm
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me zhvendosjen e festivalit ‘Sunny Hill’ i cili së fundi është zhvendosur në Tiranë, shkruan KultPlus.
Sipas kryetarit Rama, arsyeja pse ky festival sivjet është zhvendosur në Tiranë është për shkak të zvarritjes nga ana e qeverisë në dhënien e pronës së kërkuar.
“Sunny Hill” i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve dhe të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë të këtij festivali. Arsyeja pse ky festival sot është zhvendosur në Tiranë është kryekëput për shkak të zvarritjes së qeverisë e cila pavarësisht se gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë tentuar vazhdimisht të ndërhyjnë në kompetencat e kuvendit komunal dhe në kompetencat e kryetarit të Komunës ashtu si e konfirmoi edhe dje Asociacioni i Komunave”, tha Rama, duke e cilësuar zhvendosjen e këtij festivali si një lajm dëshpërues për Kosovën dhe Prishtinën.
Ndërkaq, mosbajtja e festivalit në Prishtinë, pritet t’i sjellë Kosovës edhe humbje të hyrash deri në 15 milionë euro.
“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i qytetit ka qenë 7-8 milionë euro, është paraparë që do të jetë 12-15 milionë euro, këto janë humbje”, u shpreh kryetari Rama, i cili më pas deklaroi se beson që nga viti i ardhshëm ky festival do të kthehet në Prishtinë.
Kurse Doruntinë Maloku, e cila udhëheq drejtorinë e Pronave në Komunën e Prishtinës, shpjegoi gjithë procesin e dhënies në shfrytëzim të pronës nga Komuna e Prishtinës.
“Si qeverisje e re e kemi gjetë si një proces të hapur çështjen e festivalit ‘Sunny Hill’ nga viti 2021. Më 14 qershor 2021, Kuvendi Komunal i Prishtinës, unanimisht, ka vendosur pro dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për këtë festival për 99 vjet.”, tha Maloku.
Maloku thotë se në momentin që ‘Sunny Hill’ ka kërkuar nga Komuna që t’i vazhdojnë procedurat në mënyrë që mos të ketë vonesa, për shkak që rrezikohet mosmbajtja e festivalit, komuna e ka plotësuar dokumentacionin dhe është dorëzuar në Kuvendin Komunal.
“Meqë asnjëherë nuk është kundërshtu asnjëherë nga Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal 99-vjetëshi, në Kuvendin Komunal shumica e asambleistët e kanë votuar vendimi”, u shpreh më tutje Maloku duke vazhduar më pas se MAPL pas dorëzimit të dokumentacionit, e ka zvarritur procesin./ KultPlus.com