12 Shtator, 2023 - 10:24 am
Është bërë përurimi i bustit të Shën Nënës Terezë në hapësirën e Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, shkruan KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në këtë përurim, bashkë me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja Osmani është shprehur se ky bust është simbol kujtese jo vetëm i jetës së Nënë Terezës, por edhe i vlerave që ajo mbrojti – mirësisë, përulësisë dhe dashurisë për njerëzit.
“Bashkë me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përuruam dje në Ambasadën e Kosovës në Shkup bustin e shenjtores sonë, Nënë Terezës, e cila është simbol i miqësisë ndërmjet popujve e shteteve.
Zemërgjerësia e saj tejkaloi fetë, kombet dhe statuset shoqërore, duke bashkuar njerëzit nën flamurin e dhembshurisë dhe humanizmit. Ky bust është simbol kujtese jo vetëm i jetës së Nënë Terezës, por edhe i vlerave që ajo mbrojti – mirësisë, përulësisë dhe dashurisë për njerëzit”, shkruan Presidentja. / KultPlus.com