23 Prill, 2023 - 2:56 pm
Hapja solemne e degës kosovare të Ambasadës Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem, Kosovës i jep edhe një ngjyrim më shumë në harmoninë e nuancave fetare ekzistuese në Kosovë, shkruan KultPlus.
Kjo ngjarje e cila u zhvillua të shtunën, në ambientet e Hotelit Sirius në Prishtinë, tregon edhe njëherë për bashkëjetesën e shkëlqyer të feve të ndryshme në Kosovë, dhe po ashtu miqësinë dhe të kaluarën historike midis dy vendeve dhe popullsive, si ajo e hebrenjve dhe shqiptarëve.
Fjalimin më emocionues të kësaj ngjarje me vlerë të vyer për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me Izraelin dhe komunitetin e gjerë të kishave ungjillore anembanë botës, e mbajti një pastor i nderuar gjerman, i cili do të theksonte se për shkak të origjinës së tij nga Gjermania, vendi që ishte dikur përgjegjës për vrasjen makabre të gjashtë milionë hebrenjve të pafajshëm gjatë Holokaustit, ai ndihej edhe më i privilegjuar për praninë e tij në Prishtinë.
“Ishte prekës vlerësimi i tij pikërisht për shqiptarët, që nuk dorëzuan kurrsesi asnjë hebre të gjendur në gjirin e tyre dhe në trojet e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, përkundër trysnisë së ushtruar nga nazistët për këtë qëllim, jo vetëm duke i shpëtuar hebrenjtë e tyre, por duke u shtuar popullata me prejardhje hebraike në trojet shqiptarë pas këtij konflikti botëror, ndryshe thuajse nga çdo vend tjetër në Europë.”, thuhet në njoftim.
Më tutje në njoftim tregohet se mes himneve hebraike dhe biblike të kënduara mjeshtërisht, dhe lutjeve për mirëqenien dhe paqen në Kosovë dhe Izrael, fjalën gjithashtu e morën edhe pastorët Artur Krasniqi dhe Driton Krasniqi nga Kisha Bashkësia e Popullit të Zotit në Prishtinë, pranë së cilës tashmë do të ndodhet edhe Ambasada e Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem.
Gjithashtu në këtë ngjarje të shënuar, u dëgjua edhe mesazhi i Ambasadores së Izraelit në Kosovës, shkëlqesisë së saj, zonjës Tamar Ziv, ndërsa fjalimi i aktivistit hebraik të Kosovës, Flori Zevi, u përqendrua në praninë historike të hebrenjve në Kosovë, në kontributin e tyre në shoqërinë kosovare, dhe në gjendjen e këtij komuniteti në ditët e sotme, midis Prishtinës dhe Prizrenit.
Më pas gjithçka u kremtua me një koktej të rastit, ku edhe u përurua zyrtarisht Ambasada Ndërkombëtare Krishtere në Jeruzalem, në mjediset e Kishës Bashkësia e Popullit të Zotit./KultPlus.com