16 Shkurt, 2022 - 8:51 pm
Sot në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është inauguruar monumenti përkujtimor për nder të kontributit të profesionistëve shëndetësorë. Monumenti ‘Për jetën’, i materialit hekur, u realizua nga artisti Butrint Morina, përcjell KultPlus.
“Personalisht si artist jam i lumtur që Prishtinës dhe Kosovës ju shtua edhe një monument bashkëkohor. Në realizimin e këtij projekti, pjesa më e vështirë ishte të marr guximin të propozoj një monument të tillë duke e ditur që në vend dominon skulptura figurative përkujtuese e dëshmorëve, heronjve dhe figurave të tjera publike”- thotë Morina për KultPlus.
“Për jetën” është projekti për monumentin përkujtimor për nder të të gjithë profesionistëve shëndetsorë të cilët në periudha të ndryshme sakrifikuan edhe jetën e tyre .
Skulptori Morina thotë se në realizimin e këtij monumenti u inspirua nga linja e aparatit elektrokardiografik, EKG-së, që tregon rrahjet e zemrës duke ndërtuar një kompozicion me forma gjeometrike ku QRS-ja dhe EKG-ja ngriten në formën e një obelisku modern .
“Obelisku është pjesë e tërësisë së formës që figurativisht ngjason në një masë me linjën e EKG-së. Kompozicioni i formës ka shtrirje të gjatë dhe e plotëson mirë hapsirën e percaktuar. Lartësia e formës së monumentit e madhështon tërësinë e tij duke e marrë tërë vëmendjen e hapsirës përreth dhe duke e lartesuar kontributin e profesionistëve shëndetësorë.”- thotë më tutje artisti Morina.
Përveç formës, në këtë monument dallohet edhe ngjyra e gjelbër, kur artisti thotë se kjo ngjyrë simbolizon veshjet në ngjyrë të gjelbër që doktorët përdorin gjatë ndërhyrjeve të tyre kirurgjike./ KultPlus.com