25 Mars, 2021 - 1:28 pm
Familja Sahatçiu dhe Qena i kanë dhuruar përherë artistë të mëdhenj vendit tonë. Ndërsa sot në përkujtim të dy ikonave të artit, regjisorit Besim Sahatçiu dhe aktores së madhe Leze Qena, Posta e Kosovës ka përuruar pullën postare me figurat e këtyre dy personaliteteve të shquara të artit skenik, shkruan KultPlus.
Të pranishëm në këtë eveniment përveç përfaqësuesve të familjeve që ishin Besnik Sahatçiu-Ora dhe Argjenda Qena, ishin edhe kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi , Drejtori i Qendrës kinematografike, Arben Zharku, ish-Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, gjithashtu edhe artistët si Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu, e shumë figura të tjera.
Përveç pullave postare të cilat pritet të jenë një lloj ambasadori përfaqësues i Republikës së Kosovës nëpër botë, në këtë event u prezantua edhe një dokumentar me fotografi dhe video të shkurtra të këtyre dy ikonave të skenës të cilat përveç se na kthyen në kohë dhe e paraqitën një copëz të vogël nga krijimtaria e bujshme e këtyre dy artistëve përçuan te publiku një emocion mallëngjimi për këta dy artistë të mëdhenj.
Besim Sahatçiu dhe Leze Qena nuk janë në mesin tonë por vetëm fizikisht sepse puna dhe vepra e tyre e mirëfilltë artistike do të na përcjell përherë ne dhe gjeneratat pasuese. Tutje në këtë ngjarje u dhuruan edhe disa dhurata, pra ishin pulla postare të shndërruara në pllaketa të cilat ju dhuruan përfaqësuesve të të dy familjeve, Qena dhe Sahatçiu, Drejtorit të Qendrës kinematografike Arben Zharkut dhe drejtorit te fotografisë Afrim Spahiut, njëherësh edhe bashkautor i dokumentarit të prezantuar sot për nder të këtyre dy ikonave skenike.
Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi në fjalimin e tij hyrës falënderoi të pranishmit dhe shprehi privilegjin që këto pulla postare i janë shtuar filatelisë së tyre.
“Vërtetë është një privilegj i madh për Postën e Kosovës dhe për mua personalisht që filatelisë sonë, sot i janë shtuar dy pulla me imazhe e dy ikonave të kulturës sonë, regjisorit Besim Sahatçiu dhe aktores Leze Qena”, tha Smakiqi i cili tutje falënderoi në veçanti familjen Sahatçiu dhe Qena që ishin prezentë dhe premtoi që Posta e Kosovës sikurse në vitet e kaluara edhe në të ardhmen do të kujdeset që personalitetet tona të shquara të kulturës t’i nderoj edhe përmes pullave postare.
Përfaqësuesit e familjeve, djali i regjisorit, Besnik Sahatçiu dhe vajza e aktores Leze Qena, përveç zgjedhën që përveç falënderimit drejtuar Postës së Kosovës për nderin që u është bërë këtyre dy ikonave vendosën të mos flasin më shumë sepse për dy artistë të mëdhenj sikur Lezja dhe Besimi, sado të flasësh, prapëseprapë fjalët nuk arrijnë të përshkruajnë veprën e tyre madhore që ata lanë prapa për artdashësit.
Ndërsa në pamundësi për të qenë pjesëmarrëse në këtë ngjarje, artistja me famë botërore Rita Ora njëherësh edhe mbesa e regjisorit të madh Besim Sahatçiu, përshëndeti dhe falënderoi Postën e Kosovës për nderin që ia bënë gjyshit të saj, ndër të tjera Rita tha: “Jam shumë e lumtur që Posta e Kosovës po e respekton gjyshin tim Besim Sahatçiu me pullë postare për suksesin në film në Kosovë. Më vjen keq që nuk jam sot në Kosovë, ju dua shumë të gjithëve”, u shpreh Rita.
Posta e Kosovës nderoi gjithashtu edhe Ritën si ambasadoren të Kosovës në botë me një kartolinë me këto pulla postare.
Krejt në fund të pranishmit ishin të ftuar që të merrnin pjesë në një koktej rasti të organizuar për ndrë të kësaj ngjarjeje. / KultPlus.com