14 Dhjetor, 2023 - 3:30 pm
Rruga që u përdor nga ushtarët e UÇK-së që në këmbë të bartnin armatime për në Kosovë dhe ku ranë dëshmorë 41 ushtarë të UÇK-së, u shënjua si shteg garash për motoçiklistët dhe ecjesh për alpinistët dhe për bjeshkatarët.
“Shtegu i Lirisë” projekt i përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u përurua sot në 25 vjetorin e rënies së 41 dëshmorëve të lirisë.
Kjo nismë vjen nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim si dhe nga Federata e Motoçiklizmit e Kosovës. Ata sot e zbuluan pllakën për fillimin e projektit Shtegu i Lirisë “Pashtriku”, nëpër të cilin nga viti i ardhshëm, motoçiklistët do të garojnë duke u nisur nga Kruma për të kaluar në Cahan dhe nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit, te vendi ku ranë 41 dëshmorët e UÇK-së.
Të gjithë ata që duan t’i kujtojnë 41 dëshmorët e UÇK-së të rënë më 14 dhjetor 1998, do të mund të shkojnë dhe të ecin në “Shtegun e Lirisë”. / KultPlus.com