30 Dhjetor, 2022 - 10:30 am
Kontesha Geraldina Appony erdhi për herë të parë në Shqipëri, më 30 dhjetor 1937.
Kontesha Appony në vendin e saj njihej me emrin “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”. Ajo zbarkoi në tokën shqiptare pas marrjes së një ftese nga motrat e Mbretit Zogu I, të cilit i ishte treguar një foto e Geraldinës gjatë një balloje të organizuar në Budapest. Kjo paranjohje mes tyre u ndërmor nga Sekretari i Zogut, Jak Koci dhe i dërguari hungarez, Cyczy.
Një muaj pas ardhjes, më 30 janar 1938, Geraldina u fejua me Mbretin Zogu I. Ndërsa, më 27 prill 1938, pasi vunë kurorë, u quajt “Mbretëresha e Shqiptarëve”.
Kontesha lindi në Budapest më 6 gusht 1915, kohë kur kish nisur shkërmoqja e Perandorisë Austro-Hungareze. Ndoqi shkollën angleze në Menton të Francës dhe më pas kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum-it, në Austri, ku kreu edhe Fakultetin e Shkencave Shoqërore dhe Financiare.
Duke u bërë pjesë e familjes mbretërore, Geraldina 22-vjeçare nisi të ushqente një dashamirësi ndaj vendit ku u martua dhe ku ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare në vitin 2002./atsh/ KultPlus.com