4 Dhjetor, 2023 - 12:00 pm
Më 4 dhjetor 1912, u themelua qeveria e parë shqiptare.
Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës që në mbledhjen e tij të parë më 28 nëntor 1912. Në seancën e tij të 5–të, më 04.12.1912, Kuvendi me kërkesë të Ismail Qemal Vlorës e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. Ismail Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme.
Anëtarë të Qeverisë u zgjodhën:
– Dom Nikoll Kaçorri, Zv.Kryeministër (deri më 30 mars 1913);
– Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme
– Abdi bej Toptani, Ministër për Financat (Azis Vrioni tetor 1913);
– Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen);
– Petro Poga, Ministër për Drejtësinë;
– Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin,
– Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore;
– Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë
– Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.
10 anëtarët e qeverisë ishin veprimtarë të shquar të lëvizjes patriotike në Shqipëri. Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe pleqësinë që duhej te kryente funksionet e një organi këshillues e mbikqyrës të qeverisë. Kryetari i pleqësisë u zgjodh Vehbi Agolli. Me këto masa Kuvendi iVlorës hodhi themelet e organizimit të Shtetit të ri Shqiptar, duke u mbështetur në forcat kombëtare. Ndonëse në kushte tepër të vështira të vazhdimit të Luftës I Ballkanike shumë prej krahinave u bashkuan me Qeverinë e përkohshme të Vlorës duke e njohur atë si qeveri të gjithë Shqipërisë. Nga pikëpamja e shtrirjes efektive të pushtetit të saj ajo veproi në fillim në një zonë të ngushtë, kryesisht në trekëndëshin Vlorë-Berat-Lushnjë.
Qeveria e përkohshme e Vlorës arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror. U ngritën disa njësi të forcave të rendit publik (xhandarmëria) dhe u morën masa organizative paraprake për të mëkëmbur një ushtri kombëtare. U vunë gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve europiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1913. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913. Ky akt përmbante një rregullim mjaft të hollësishëm të përbërjes dhe kompetencave të hallkave kryesore të administratës vendore në Shtetin e Ri.
Por, ai nuk kishte vlerën e një kushtetute në kuptimin e plotë, përderisa linte pa prekur probleme themelore, si: forma e qeverisjes (monarki apo republikë), organet më të larta të pushtetit, kompetencat, raportet midis tyre./ atsh / KultPlus.com