3 Gusht, 2019 - 10:30 pm
Simon Critchley, profesor i Filozofisë në Shkollën e Re për Kërkime Sociale në Nju-Jork, ka shkruar një libër të quajtur ”Libri i Filozofëve të Vdekur” (2008). Ai aty flet edhe rreth vdekjes së çuditshme të disa filozofëve. “Synimi i librit është të tregojë se shpeshherë vepra më e madhe e artit të një filozofi, është mënyra e vdekjes së tij”, ka thënë Critchley
Krisipi vdiq duke qeshur
Krisipi (280–207 p.e.s.), njihet si një nga stoikët më të mëdhenj. Ai vdiq gjatë olimpiadës së 143-të, në moshën 73-vjeçare. Rreth vdekjes së tij ka dy histori alternative dhe që të dyja kanë të bëjnë me alkoolin.
Teoria e parë është se ai vdiq nga marramendja pesë ditë pas pirjes së një vere shumë të fortë. Megjithatë, tregimi i dytë është edhe më i çuditshëm dhe lidhet me emrin e tij. Duke parë se një gomar po hante fiqtë e tij, në vend se të mërzitej për këtë i tha me zë të lartë një gruaje të moshuar: “Tani jepini gomarit të pijë verë të pastër, për të shpërlarë fiqtë”. Atij iu duka batuta qesharake, sa që nisi të qeshë në mënyrë të pakontrollueshme, u rrëzua përtokë dhe pati një bllokim frymëmarrjeje që i mori jetën.
Julien Offray de La Mëtrje vdiq nga e ngrëna
Autori i “Njeriu-makinë”, Julien Offray de La Mëtrje (1709-1751), ishte i njohur për teoritë e tij materialiste të natyrës njerëzore dhe nuk pati ndonjë vlerësim të veçantë nga bashkëkohësit e tij të Iluminizmit. Vdekja e tij shihet si e përshtatshme me filozofinë e tij dhe përshkruhet si një “vdekje materialiste”. Ai humbi jetën për shkak të mbingrënies.
De La Mëtrje ndodhej në shtëpinë e ambasadorit francez në Berlin, duke konsumuar pate tartufi. Ai hëngri aq shumë, sa që menjëherë nisi të ndihet keq. E refuzoi ndihmën e mjekëve duke i quajtur sharlatanë dhe u përpoq të shërohej duke nxjerrë gjak nga trupi. Megjithatë, kjo metodë nuk funksionoi dhe ai ndërroi jetë pas disa orësh.
Herakliti vdiq i mbuluar nga jashtëqitjet e lopës
Herakliti (535- 475 p.e.s.), ishte filozof grek para-stoik, i njohur për refuzimin e shoqërisë që ai nisi ta përçmojë. Ai vendosi të jetonte i izoluar nëpër male, ku ushqehej vetëm me barishte. U enjt në pjesë të ndryshme të trupit, për shkak të kequshqyerjes, dhe duhej të kthehej në qytet për të marrë ndihmë mjekësore. Megjithatë, nuk donte të ndiqte këshillat e mjekëve, por kërkoi të mbulohej me plehun e lopëve për të shëruar sëmundjen e tij. Ka dy versione të historisë së vdekjes së tij. Sipas së parës u mbyt në jashtëqitjen dhe urinën e lopës. Në të dytën u ul para rrezeve të diellit, feçet iu thanë plotësisht dhe vdiq nga nxehtësia.
Diogjeni u vetëvra duke mbajtur frymën
Ekzistojnë shumë anekdota të pazakonta të shkruara rreth Diogjenit (vitit 320 p.e.s.), të tilla si jetesa në një fuçi, jashtëqitja në teatër dhe ngrënia e sasive të mëdha të qepëve në një moment të jetës së tij. Megjithatë, elementi më i shquar e njohur për të është se ai nuk kishte frikë nga autoriteti. Ai ishte i vetmi që u tall me Aleksandrin e Madh dhe mbeti gjallë më pas.
Thuhet se Diogjeni dëshironte të varrosej me fytyrë përmbys, si në fjalët e tij: ”Pas pak kohësh, e poshtmja do të ngjitet lart”.
Ai jetoi deri në moshën 90 vjeçare dhe vdekja e tij është e rrethuar ende nga misteri. Megjithatë, ka dy teori më të mundshme: vdiq ose duke konsumuar një oktapod të pagatuar ose vendosi të kryente vetëvrasje duke mbajtur frymën.
Michel Foucault vdiq nga “shkrimet e tij”
Një filozof francez (1926-1984), i njohur për teoritë e tij subversive mbi seksualitetin dhe stilin ekscentrik të jetesës, Michel Foucault, la një trashëgimi të fortë të shkruar mbi seksualitetet e çuditshme. Ai u sëmur në vitin 1984, duke vuajtur nga simptoma të vazhdueshme, të ngjashme me gripin. Vazhdoi të punonte në librin e tij “Historia e seksualitetit”, gjatë gjithë kohës që vuante nga sëmundja. U zbulua më vonë se ishte prekur nga AIDS, për të cilën me sa duket kishte pasur dijeni që në fillim. Vdekja e tij në vetvete nuk është aq mbresëlënëse sesa fakti që kishte filluar të lexonte në mënyrë obsesive Senekën teksa po i afrohej ora e vdekjes. Vdiq më 25 qershor, në të njëjtën datë që vdiq edhe filozofi i njohur romak.