11 Gusht, 2021 - 9:25 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së fundmi ka bërë të ditur se sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport, në mënyrë që këto fusha të fuqizohen akoma më shumë, përcjellë KultPlus.
“Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale”, ka shkruar MKRS-ja.
Tutje, ata bënë të ditur se në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.
Po ashtu, është konsideruar se kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit.
KultPlus ju sjell njoftimin e tyre të plotë:
Pesë milionë Euro shtesë për kulturën, trashëgiminë kulturore, rininë dhe sportin.
Sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike u ndanë pesë milionë Euro për kulturë, trashëgimi kulturore, rini dhe sport. Përmes kësaj mbështetje shtesë synojmë fuqizimin e këtyre fushave pas vështirësive që shkaktoi pandemia.
2.5 milionë Euro do të ndahen për kulturë dhe trashëgimi kulturore. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte artistike të organizatave dhe individëve (artistëve), ndërsa pjesë e skemës së mbështetjes do të jenë edhe teatrot e qyteteve, muzetë e bibliotekat komunale. Në kuadër të mbështetjes për kulturën, me vendim të veçantë qeveritar është krijuar edhe mundësia për blerjen e veprave artistike të artistëve vendorë.
Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë do të ndahen 500 mijë Euro. Përmes thirrjes publike do të përkrahen projekte që promovojnë fuqizimin ekonomik të të rinjve, përfshirjen në tregun e punës, ndërmarrësinë, rrjetëzimin dhe pjesëmarrjen aktive.
Ndërsa dy milionë Euro nga kjo masë e mbështetjes do të ndahen për zhvillimin e sportit. Kjo do të jetë hera e parë që MKRS do të hapë thirrje publike për subvencionimin e aktiviteteve në fushën e sportit. Skema e mbështetjes për sportin synon të përkrahë organizata dhe individë që promovojnë konceptin e ‘sportit për të gjithë’, sportistët, klubet sportive dhe federatat.
Thirrjet publike do të hapen së shpejti, ndërsa ne do t’ju mbajmë rregullisht të informuar për të gjitha detajet për të përfituar nga kjo skemë e mbështetjes. / KultPlus.com