Pesë pyetje pa përgjigje për tragjedinë e ”Titan”-it

23 Qershor, 2023 - 11:30 am

Pesë pyetje mbeten pa përgjigje pas tragjedisë së ”Titan”-it, mes frikës se trupat mund të mos gjenden kurrë, shkruan James Liveris për britaniken ”The Sun”.

Eksploruesit e vërtetë, Stockton Rush, miliarderi britanik Hamish Harding, Paul-Henri Nargeolet, Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar Suleman vdiqën të gjithë, pas implozionit të nëndetëses.

Çfarë e shkaktoi shpërthimin?

Një robot gjeti pesë pjesë të mëdha mbeturinash në shtratin e detit, dy milje nën sipërfaqe. Ato përfshinin pjesë të trupit të nëndetëses dhe një kon të pjesës ballore të saj.

Kundëradmirali John Mauger, i Rojës Bregdetare të SHBA, tha se mbeturinat ishin rreth 500 metra nga harku i ”Titanic”-ut dhe “në përputhje me një humbje katastrofike të dhomës së presionit”.

Por, nuk është e qartë se çfarë shkaktoi shpërthimin e anijes, e projektuar posaçërisht për t’i bërë ballë thellësive ekstreme.

Cilat ishin zhurmat e goditjeve?

Të mërkurën, u raportua për tinguj nën ujë gjatë kërkimit për nëndetësen e zhdukur ”Titan”. Në atë kohë, ajo ngjalli shpresa të reja se anëtarët e ekuipazhit mund të kishin sinjalizuar për ndihmë. Kërkuesit pohuan se dëgjuan përplasje në intervale prej 30 minutash ndërsa kërkonin anijen.

Një avion kanadez zbuloi gjithashtu tingujt në zonën ku u zhduk ekuipazhi.

Kapiteni i Rojës Bregdetare të SHBA-së Jamie Frederick më vonë konfirmoi se zhurmat në det të thellë ishin dëgjuar dhe po analizoheshin nga ekspertët e hidrolokatorëve për të përcaktuar nëse ato vinin nga anija 22 metërshe.

Carl Hartsfield, një tjetër ekspert i përfshirë në kërkim, u tha gazetarëve se ishte shumë e vështirë të dallohej se cilat ishin zhurmat. Ai tha se “ne kemi sensorë të shumtë në zonë që marrin të dhënat tek njerëzit më të mirë në botë për këtë punë dhe ia kthejnë këtë ekipit në mënyrë që ata të marrin vendime. Ata duhet të eliminojnë burimet e mundshme të krijuara nga njeriu, përveç ‘Titanic-ut”.

Megjithatë, në konferencën për shtyp, kundëradmirali Mauger tha se nuk duket të ketë ndonjë lidhje midis zhurmave nënujore të zbuluara gjatë misionit të kërkim-shpëtimit dhe vendndodhjes së mbeturinave në fund të detit.

Mbetet e panjohur pra se cilat ishin zhurmat e goditjeve.

Pse pati një vonesë tetëorëshe përpara se të jepej alarmi?

”OceanGate Expeditions” është kritikuar për një vonesë tetëorëshe përpara se të lajmëronte Rojen Bregdetare të SHBA-së se kishte humbur kontaktin me ”Titan”-in.

Anija u zhyt në orën 13:00 GMT, të dielën, rreth 650 kilometra, në juglindje të St John’s, Newfoundland. Por, afërsisht pas një ore e 45 minutash në zbritje, ajo humbi kontaktet.

Megjithatë, kjo gjë nuk u raportua te Roja Bregdetare amerikane deri tetë orë më vonë, në orën 22:40 GMT.

Kathleen Cosnett, një kushërirë e Hamish Harding, tha se ”vonesa prej tetë orësh ishte shumë e gjatë”.

“Është shumë e frikshme. U desh kaq shumë kohë që ata të shkonin për t’i shpëtuar, është shumë kohë e gjatë. Unë do të kisha menduar se tre orë do të ishin minimumi”, shtoi ajo.

”OceanGate” nuk e ka shpjeguar vonesën.

Pse u përdor kjo nëndetëse edhe pse ishin ngritur shqetësimet e sigurisë?

Një seri gabimesh të rëndësishme sigurie u bënë përpara se nëndetësja të zhdukej gjatë udhëtimit për të parë rrënojat e ”Titanic”-ut.

Në një intervistë përpara se anija të humbiste, CEO i ”OceanGate” Stockton Rush – i cili ishte në bord – pohoi se duhet të kishte kufizime për masat paraprake të sigurisë.

Ai i tha CBS se ”në një moment, siguria është thjesht një humbje e pastër”.

“Dua të them, nëse thjesht dëshironi të jeni të sigurt, mos u çoni nga krevati, mos hipni në makinën tuaj, mos bëni asgjë. Në një moment, ju do të ndërmerrni një rrezik, dhe me të vërtetë është një çështje mess rrezikut dhe shpërblimit. Unë mendoj se mund ta bëj këtë po aq të sigurt duke thyer rregullat”, tha ai.

Dhe është zbuluar se ”OceanGate” ishte e përfshirë në një proces të madh gjyqësor për frikën për sigurinë e nëndetëses.

Ish-punonjësi, David Lochridge pretendon se ai u pushua nga puna pasi ngriti shqetësimet dhe kërkoi që të vendoseshin kontrolle më të rrepta sigurie. Dokumentet e gjykatës, të parë nga ”The Sun”, thanë se ai u ankua se anija nuk ishte në gjendje të zbriste në thellësitë ekstreme të nevojshme për të parë rrënojat e ”Titanic”-ut.

Dosjet ligjore tregojnë se ”OceanGate” paditi Lochridge, i cili ishte “përgjegjës për sigurinë e të gjithë ekuipazhit dhe klientëve, për zbulimin e informacionit konfidencial në lidhje me ”Titan”-in.

Megjithatë, Lochridge më pas paraqiti një kundërpadi duke pretenduar se ai ishte shkarkuar gabimisht nga roli i tij për shkak se ishte një sinjalizues për cilësinë dhe sigurinë e anijes. Në nëntor 2018, çështja u zgjidh jashtë gjykatës.

Pse nuk kishte një sinjal pamor sigurie emergjente?

David Pogue, një reporter i CBS Sunday Morning dhe ish-pasagjer i ”Titan”-it, zbuloi se ndërsa anija kishte humbur një herë vitin e kaluar ai vuri në dyshim sistemin e urgjencës së kompanisë. Ai tha se anija nuk kishte një sinjal pamor rreziku – i cili aktivizohet në situata emergjente.

Kur aktivizohet, ai sinjalizon një rrjet mbarëbotëror të Kërkim-Shpëtimit (SAR) i krijuar për të dërguar shpejt shpëtuesit në vendndodhjen e saktë të anijes.

Pogue tha se “kjo nëndetëse nuk ka asnjë lloj fener të tillë”.

“Në ekspeditën time verën e kaluar ata me të vërtetë humbën dhe shtimi i një fener të tillë u diskutua”, përfundon ai./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme