Pesëdhjetë e dy

27 Mars, 2024 - 11:30 am

Poezi nga Nerimane Kamberi

Pesëdhjetë e dy ditë,
ashtu po u numërokan ditët,
unë nuk i numëroj, ke shku, dhimbja është e madhe.
Në vend në ndonjë lutjeje, po ta shkruaj një poezi.
Atë ditë kishte thënë vëllau, thirrni bijat.
Pse, qysh?
A thatë dje baba ka dalë në çarshi, me pi kafe, në këmbë.
Atë ditë edhe berberi i tij, Amiri,
E kishte prit si çdo të diel.
Kishte prit ta sheh në fund të xhadesë,
tu i zhagit këmbët, po, po, e kishte ngadalësu hapin,
Ama….
Mjeku kishte thanë « më duket veshkët e kanë lanë”,
Vëllau kishte pyetur “e jo, zemra?”
Zemra i rrihte tik-tak-tik-tak, si sahat
Unë thash: ”Vdiq prej pleqërie”
Sa më pëlqen kjo ide ! « Të vdesësh prej pleqërie »
Të vdesësh prej pleqërie, do të thotë të kesh jetuar
Një jetë të tanë, plot gëzime e hidhërime.
Baba vdiq prej pleqërie,
 I përjetoi dy lufta,
Luftën e dytë botërore, ishte fëmijë,
Luftën e Kosovës, fëmijtë e tij ishin bë pikë e pesë, tu ik prej kufirit në kufi.
Edhe Corona virusin, një luftë e çuditshme,   e përjetoi
dhe e mbijetoi.
Nana jo. Të dytë në spital, a ma bën hallal gru?
Ia hoqi dukatin, një nga një.
Sot, unë, bija juaj më e madhja, mbaj në qafë vathin e saj.
Ndoshta nana më dëgjon, kur qaj, kur qeshi, kur ligjeroj.
Kur heshti. Nga malli.
Të vdesësh prej pleqërie,
do të thotë që moti e ke parkuar Audin
me të cilën vishe në vendlindje, verës,  vjet për vjet,
me gruan e gjashtë fëmijtë.
Të vdesësh prej pleqërie
do të thotë t’i mashtrosh këta fëmijë,
e ta mashtrosh edhe vetën,
të kërkosh të t’i veshin pizhamat,
se beson se do ta jetosh edhe një natë, edhe një, edhe një…
edhe pse është nata e jote e fundit.
Të vdesësh prej pleqërie
do të thotë që i ke tregu tregimet e tua,
pa u ngutur, t’ia kesh tregu për të dhjetën , për të qindrën herë,
fëmijve të tu,
fëmijëve të fëmijëve të tu.
Oh sa më pëlqen kjo ide,
që ke vdekur prej pleqërie. / KultPlus.com

Të ngjajshme