14 Korrik, 2023 - 11:45 am
Platforma shqiptare “Dua.com” ka nisur peticionin për njohjen e Kosovës si shtet në Google. Iniciativa është mirëpritur nga publiku dhe ka arritur të marrë mijëra nënshkrime.
“Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk ka qasje të plotë në platforma globale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur pavarësinë e Kosovës prej vitit 2008, por jo dhe korporatat e mëdha të këtij shteti”, thuhet në komunikatën e “Dua.com”.
Kjo nismë kërkon njohjen e Kosovës në produktet e Google si Play Store, Youtube, Google Analytics dhe të tjera. Iniciatori Eduard Luta ka thënë se zhvillimi i një biznesi në Kosovë ka sfida, sikurse njohja e vendit nëpër platforma gjigande teknologjike.
“Përvoja ime në zhvillimin e bizneseve edhe në Zvicër, e ka vënë në pah se me sa probleme bazike ballafaqohen kompanitë ne Kosovë”, ka thënë Luta./ rtk/ KultPlus.com