4 Nëntor, 2020 - 10:10 pm
Poeti Petrit Ruka u nderua sot me titullin “Doctor Honoris Causa”, për kontributin e veçantë me anë të krijimtarisë poetike, me poezitë e të cilit përjetohen motivet e Shqipërisë së dikurshme, por dhe të kohës modern.
Për krijimtarinë poetike, që një gjymtyrë e ka të zhytur në traditën polifonike dhe tjetrën në poezinë e kultivuar, vargu i të cilit prehet tek tradita dhe pikëtakimi me bashkëkohësinë.
Në ceremoninë e zhvilluar për dhënien e titullit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi krijimtarinë e tij, duke e cilësuar se bëhet fjalë për një autor që krijon në vazhdimësi vlera që janë origjinale e burimore e të lidhura me shumë gjëra, që në mos i dimë, i ndjejmë si pjesë e kësaj shoqërie e vazhdues të një historie edhe pas nesh.
“Petrit Ruka është një poet, shkrimtar, skenarist, një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar a vetëkrijuar”, tha Rama.
Rama theksoi se në qenien dhe në biografinë e qenies së tij si autor, ka një tipologji shumë të veçantë. “Jo se është i vetme apo i pari që përpiqet të shtrihet në të gjitha fushat ku krijuesi shtrihet me fjalë, por se ka një kapacitet transformues të jashtëzakonshëm në qenien e tij, duke kaluar nga një zhanër në tjetrin e duke i dhënë çdo zhanri diçka që është vërtet origjinale e për t’u admiruar”, vlerësoi Kryeministri.
“Dua t’i uroj Petriti që të vazhdojë të ketë sa më shumë energji, kohë e dëshirë për të vazhduar të jetë ai që është në këtë tokë, që siç thotë Petriti, është një teatër tragjedish ku të gjithë janë njëkohësisht dramaturgë e autorë e ku nuk ka shikues, suflerë dhe regjisor”, tha Rama.
Do të mbetet për një herë tjetër, mbase do të na jepet mundësia, vijoi Rama, për një bisedë, nëse kjo tokë është një tokë tragjedish apo komedish, apo të dyja bashkë.
Poeti, Petrit Ruka në fjalën e tij vlerësoi se botimi “Andej baltë e këtej erë” sjell disa balada arbërore që janë mbase, thesari më i madh që ka arritur të grumbullojë në shekuj gjuha shqipe dhe të cilat, theksoi Ruka, prej vitesh kam dashur t’i risjell të veshura artistikisht në kohërat tona moderne./atsh/ KultPlus.com