Pezullohet mësimi për nesër në gjithë Shqipërinë

26 Nëntor, 2019 - 6:32 pm

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka njoftuar se është pezulluar mësimi edhe për nesër në të gjithë Shqipërinë për shkak të tërmeteve.

“Kemi vendosur që të pezullojmë mësimin në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë jo-publiket) edhe ditën e nesërme (datë 27 Nëntor, 2019) në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Shahini ka ngushëlluar të gjithë familjet që humbën të afërmit e tyre nga tërmeti dhe ka uruar shërim për të lënduarit.

“Jam e tronditur nga humbja e jetëve dhe lëndimet trupore që kanë pësuar qytetarët si pasojë e tërmetit, siç besoj është edhe e gjithë Shqipëria. Bëj me dije se ekipet tona po vijojnë ndërkohë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara. Gjej rastin të përcjell ngushëllimet më të sinqerta ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, si dhe t’i uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve!”. Klan Kosova /KultPlus.com

Të ngjajshme