26 Prill, 2020 - 9:15 pm
Derisa nuk përmirësohet situata me pandeminë Covid-19, Senati i Universitetit të Prishtinës nuk pritet të vazhdojë me marrjen e vendimeve për zgjedhjen e personelit akademik, sipas konkursit të fundit të hapur muaj më parë.
Sipas përfaqësuesve të UP-së, trajtimi i propozimeve të fakulteteve për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik është vështirë të realizohet online, raporton KOHA.
Për këtë arsye, sipas prorektorit për kërkime shkencore, Faton Berisha, nuk kanë planifikuar të mbajnë mbledhje online për trajtimin e këtyre kërkesave.
E me këtë ide nuk po pajtohen të gjithë anëtarët e Senatit. Dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, ka deklaruar se nuk ka asnjë pengesë që mbledhjet e Senatit të vazhdohen online. Ai ka treguar se tashmë e ka bërë një kërkesë të tillë, por nuk ka marrë ende përgjigje nga menaxhmenti i UP-së.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, ka treguar se për shkak të situatës së krijuar me pandeminë, mund të ketë vonesa në procesin e konkursit, por shton se shqyrtimi i kandidatëve që kanë aplikuar nuk do të duhej të realizohej në distancë.
Senati, që është përgjegjës për shqyrtimin e propozimeve për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik, përbëhet nga 42 anëtarë prej tyre rektori, prorektorët, sekretari i përgjithshëm i UP-së, anëtarë të stafit akademik e administrativ dhe anëtarë nga parlamenti i studentëve.
“Koha” ka kërkuar të dhëna nga Rektorati për numrin e kandidatëve për staf akademik që janë në pritje të zgjedhjes ose avancimit sipas konkursit të fundit, mirëpo nuk ka marrë përgjigje tash e disa ditë. Koha.net / KultPlus.com