2 Dhjetor, 2020 - 11:30 am
Aplikon për aprovimin e produktit të saj pranë Agjencisë Evropiane të Barnave.
Firmat farmaceutike Pfizer dhe BioNTech mund të nisin shpërndarjen në Evropë të dozave të vaksinës së tyre të përbashkët anti-COVID që këtë muaj.
Firmat dërguan këtë të Martë aplikimin e tyre pranë Agjencisë Evropiane të Barnave “EMA” për aprovimin për përdorim urgjent të produktit të tyre, që renditet mes vaksinave me efektshmërinë më të lartë të zhvilluara deri tani, 95%.
Pavarësisht se këto firma e kanë kapacitetin për të kryer shpërndarjen e dozave në një kohë rekord, agjencia evropiane me qendër në Amsterdam pritet ta japë aprovimin jo më herët se fundi i këtij muaji. Sipas përllogaritjeve të DË, vlerësimin e vaksinës Pfizer dhe BioNTech, “EMA” pritet të përfundojë më 29 Dhjetor, ndërsa atë të produktit të firmës tjetër Moderna që aplikoi të Hënën pranë kësaj agjencie, më 12 Janar.
Afati përkon me parashikimet e kreut të Institutit të Lartë të Shëndetit në Itali, i cili tha se fushata e vaksinimit në këtë vend do të nisë më 15 Janar të vitit të ardhshëm. Të njëjtën pritshmëri ka edhe ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn. Të parët që do t’i nënshtrohen vaksinimit janë shtresat e rrezikuara, mjekët dhe të sëmurët./ KultPlus.com