7 Prill, 2025 - 1:10 pm
(Një syzim i shkurtër krahasues mes dy sivëllezërish krejt të ndryshëm: Martin Camaj dhe Thomas Mann)
Ky vit përkon me 100 vjetorin e lindjes së Martin Camajt, por njëkohësisht dhe me 150 vjetorin e lindjes së Tomas Manit. Përveç shifrave që përputhen rastësisht dhe faktit që në kohë të ndryshme të dy e kanë zhvilluar veprimtarinë letrare dhe intelektuale në pjesën më të madhe të jetës së tyre në Mynih, dy shkrimtarët në fjalë është vështirë t’i krahasosh me njëri-tjetrin. Dy sivëllezër tepër të ndryshëm. Ose duke përdorur gjuhën e Camajt nga syzimi i tij krahasues mes Skiroit dhe Pirandelos (Pirandello): “ma tepër të ndryshëm se të ngjashëm.”[1] Në rastin konkret, tërheqja në një syzim krahasues e figurës së Tomas Manit i shërben më shumë zgjerimit të perspektivës se sa krahasimit në vetvete, duke marrë si pikënisje mërgimin e detyruar, fat i përbashkët për të dy shkrimtarët.
Si Camaj, ashtu dhe Tomas Man, u detyruan të largohen në mërgim (edhe pse në kushte krejt të ndryshme) për shkak të një regjimi totalitar që erdhi në fuqi. Tomas Man u largua nga atdheu në moshën 58 vjeçare si nobelist, si shkrimtar dhe intelektual tashmë i formuar dhe me botime dinjitoze, duke përmendur këtu shkurt jo vetëm Budenbrokët (Buddenbrooks 1901), Vdekjen në Venedik (Tod in Venedig 1912) apo Malin magjik (Zauberberg 1924), por edhe esetë me karakter letrar dhe politik si Vëzhgimet e një të paangazhuari politikisht (Betrachtungen eines Unpolitischen 1918), Gëte dhe Tolstoi (Goethe und Tolstoi 1921) apo Nga republika gjermane (Von deutscher Republik 1923). Kurse Camaj arratiset nga atdheu në moshën 23 vjeçare pa kurrfarë “bagazhi” (!) veç arsimimit të papërfunduar në kolegjin jezuit Xaverianum për shkak të mbylljes së shkollave fetare në vitin 1946, arsimim që për Shqipërinë e kohës nuk ishte aspak i vetëkuptueshëm, dhe asaj pak përvoje pune si mësues deri në vitin 1948 në Prekal. Shkrimtari dhe intelektuali Camaj do të formohej dhe bëhej ai që njohim në 40 vitet e kaluara në mërgim.
Më 10 shkurt 1933 Tomas Man mban në Mynih një ligjëratë me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Vagnerit (Wagner) dhe menjëherë të nesërmen largohet nga Gjermania për t’iu përgjigjur disa ftesave që i ishin bërë lidhur me këtë ngjarje. Dhjetë ditë më parë Hitleri ishte shpallur kancelar gjerman. Djegia e rajhstagut më 27 shkurt dhe miratimi i ligjeve autorizuese më 23 mars u pasuan nga unifikimi politik i institucioneve brenda vendit, duke siguruar kësisoj kontrollin e plotë të nazistëve mbi shtetin. Kthimi bëhet i pamundur. Tomas Man emigron për një kohë të shkurtër në Francë, pastaj në Zvicër (1933-1938), për t’u larguar më pas në Amerikë, pa pasur asnjë ide që nuk do të mund të kthehej për 16 vjet me radhë në atdhe, duke përtypur kësisoj me mundim të vërtetën e hidhur të krijuar nga dhuna e fakteve, për të cilën ai kishte folur me guxim intelektual qysh në vitin 1930.[2]
Vendosja e regjimit komunist në Shqipërinë e viteve 1945-1949 shkon krahas luftës sistematike për zhdukjen e kundërshtarëve realë dhe të supozuar. Varësisë nga ish-Jugosllavia pas vitit 1948 ia zë vendin ajo nga Bashkimi Sovjetik, ndërkohë që vendi shndërrohet në një diktaturë komuniste dhe Enver Hoxha konsolidon pushtetin e tij absolut. Camaj pozicionohet kundër këtij regjimi dhe pasi kalon disa muaj i fshehur në male[3], në dimrin e vitit 1949 arratiset në ish-Jugosllavi, ku qëndron deri në vitin 1956. Kjo fazë e parë e emigracionit ravijëzon formimin e tij si filolog përmes studimeve në Universitetin e Beogradit, por njëkohësisht dhe prezantimin si poet me poezitë e para (1951) në revistën Jeta e re të Esad Mekulit dhe me botimin e dy vëllimeve poetike Një fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954) në Prishtinë. Ky ravijëzim intelektual si filolog dhe poet (sepse edhe në prozë Camaj mbetet poet) do të thellohet më tej gjatë qëndrimit katërvjeçar (1956-1960) në Itali, për të arritur pjekurinë në vendosjen përfundimtare prej vitit 1960 e deri në fund të jetës në Gjermani.
Në periudhën korrik-gusht të vitit 1949, pas 16 viteve të kaluara në emigracion të detyruar, Tomas Man viziton për herë të parë Gjermaninë. Gjashtë javë më parë në zonën perëndimore është themeluar Republika Federale Gjermane, ndërsa lindja ka akoma statusin e një zone të okupuar nga sovjetikët. Ndërkaq kampet politike lindje-perëndim janë përvijuar qartë. Pyetjes se cilën Gjermani do të vizitojë, shkrimtari i përgjigjet se po viziton Gjermaninë si të tillë dhe nuk i njeh zonat e ndara. Arsyeja e vizitës së shkrimtarit të mërguar, të cilit megjithë famën që gëzonte dhe prestigjin e të qenit nobelist nazistët në vitin 1936 i hoqën nënshtetësinë, është 200 vjetori i lindjes së Gëtes (Goethe). Viti 1949 ishte shpallur viti i Gëtes, si në zonën perëndimore, ashtu dhe në atë lindore. Nëse Frankfurti në zonën perëndimore është qyteti i lindjes dhe i rinisë së hershme, Vajmari në zonën lindore lidhet ngushtë me veprimtarinë e jetës së gjatë të gjeniut të letrave. Tomas Man ftohet në të dyja zonat dhe, duke dashur të vërë theksin në përbashkësinë e kulturës gjermane jashtë politikave lindje-perëndim, i mban fjalimet e rastit në dy institucione me rëndësi simbolikisht historike për kulturën demokratike të Gjermanisë: në Kishën e Shën Palit (Frankfurt) dhe në Teatrin Kombëtar Gjerman (Vajmar).[4] Gëte bashkon përtej ideologjive, zonave, politikave, luftës së nxehtë me shkatërrimin që la pas, dhe luftës së ftohtë, e cila po bëhet përherë e më shumë e pranishme përmes ankthit dhe pasigurisë, jo vetëm në Gjermaninë e ndarë. Eseja e botuar me këtë rast titullohet Fjalimi në vitin e Gëtes 1949 (Ansprache im Goethejahr 1949).[5]
Camaj nuk arrin ta vizitojë më Shqipërinë pas rënies së komunizmit. Dyndjet në ambasadat perëndimore në verën e vitit 1990 pasohen nga emigrimi masiv, protestat e fuqishme, legalizimi i partive opozitare, rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës (shkurt 1991), zgjedhjet e para pluraliste një muaj më pas dhe kriza e mëtejshme ekonomike dhe politike e vendit. Fitoren e partisë opozitare në zgjedhjet e marsit të vitit 1992 Camaj nuk e përjetoi më. I ftuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës në fund të gushtit 1990 ai merr pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës[6] me rastin e kësaj vizite, megjithë gëzimin që ndodhet përsëri në Kosovë, Camaj vëren me keqardhje, se ashtu si para 36 vjetësh gjatë aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve, rrugët janë të mbushura plot me njerëz të armatosur. Është koha kur politikës së ashpër të shtypjes nga ana e regjimit të Millosheviçit, shqiptarët e Kosovës i kundërvihen përmes një lëvizjeje paqësore për pavarësi. Disa ditë pas përfundimit të Seminarit (më 7 shtator) delegatët e kuvendit të atëhershëm të mbledhur në Kaçanik e shpallin Kosovën republikë në kuadër të ish-federatës jugosllave. Rezultati i referendumit për pavarësinë që mbahet një vit më pas nuk njihet ndërkombëtarisht. Zgjedhjet parlamentare në maj të vitit 1992 Camaj nuk i përjetoi më. Përmes pranimit të shkrimtarit emigrant (deri më atëherë të shpallur persona non grata në ish-Jugosllavi) si anëtar nderi të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (pas vendimit të marrë prej saj për të pezulluar çdo ndalim autorësh shqiptarë) dhe tematikës së seminarit për ndërlidhjet e kulturës shqiptare me atë europiane, Kosova që vizitoi Camaj me rrugët e mbushura plot ushtarë, ofronte simbolikën e rëndësishme të tanësisë së letërsisë shqipe dhe posaçe të përkatësisë së saj në kontekstin europian. Brenda kësaj simbolike duhet vendosur dhe kumtesa që Camaj mban në Seminar me titull Letërsia arbëreshe në kontekstin evropian[7]. Nuk është hera e parë që perspektiva gjithëpërfshirëse në studimin e letërsisë arbëreshe është objekt i studimit filologjik nga ana e tij.[8]
Në esenë për Gëten Tomas Man shkoklit raportet e dijetarit të madh me politikën, demokracinë dhe kulturën gjermane në tërësi dhe i qaset para së gjithash në mënyrë kritike historisë së Gjermanisë, koncepteve të kulturës dhe identitetit, veçanërisht në kontekstin e së shkuarës naziste, gërmadhat e së cilës, gërmadhat e gurëve dhe të shpirtrave siç i quan ai, shihen me sy dhe preken me dorë ngado që shkon. Madje edhe dy shtëpitë e Gëtes në Frankfurt dhe Vajmar, të bombarduara gjatë luftës, u desh të ndërtoheshin njëfarësoj me rastin e festimeve të 200 vjetorit. Çoroditjes së shkaktuar nga ndjesia e largimit pa kthim, shkëputjes, çrrënjosjes, Tomas Man i përballëvë besnikërinë karshi gjuhës gjermane, atdheut të marrë me vete në mërgim, “atdheut të vërtetë dhe të pabjerrshëm nga i cili nuk kishte mundur ta dëbonte dot asnjë pushtetar”[9] si dhe arratisjen në botën e fantazisë, të fabulimit, të trillimit, të artit, arratisje pa të cilën, siç thotë ai, nuk do të dinte si të jetonte.[10] E megjithatë, si të gjithë shkrimtarët gjermanë të asaj kohe që u larguan në mërgim të detyruar, edhe atë e bren frika nga tëhuajëzimi, nga moskuptimi në të njëjtën gjuhë me lexuesin, shkëputja e dhunshme me të cilin shkrimtarët emigrantë i vuri përpara një dileme hamletiane. Nëse ai apo Lion Fojtvanger (Feuchtwanger) mundën të jetonin nga letërsia e tyre edhe në mërgim, Breht (Bertolt Brecht) apo Franc Verfel (Franz Werfel) pjesërisht, shumica e shkrimtarëve emigrantë, për shembull Jozef Rot (Joseph Roth), Ernst Toler (Ernst Toller), Klaus Man (Klaus Mann) apo Ana Zegers (Anna Seghers), nuk e patën më këtë mundësi, megjithë veprat e rëndësishme që shkruan në mërgim. Për më tepër çrrënjosja e dhunshme, frika e tëhuajëzimit dhe shkëputja nga lexuesi i çoi një pjesë të tyre jo vetëm në depresion, por deri në vetëvrasje, edhe kur kishin arritur të krijonin një farë stabiliteti ekonomik, siç ishte rasti i Cvajgut (Stefan Zweig).
Vizita e Camajt në Kosovë përcillet nga Zëri i Amerikës, konkretisht nga gazetari Idriz Lamaj, me njoftime për aktivitetin e tij gjatë qëndrimit të atjeshëm dhe me një intervistë të shkurtër.[11] Në intervistëne gjerë që vijon pas kthimit në Gjermani[12], në intervistën dhënë Anton Berishës në të njëjtin vit[13] si dhe në intervistën e bërë nga Alfonso Sarno një vit më pas[14], Camaj i qaset ndër të tjera raportit të shkrimtarit në mërgim me gjuhën, shkëputjes së dhunshme nga lexuesi, rolit të intelektualit në proceset demokratike dhe veçanërisht perspektivës gjithëpërfshirëse lidhur me letërsinë shqipe, duke pasur parasysh këtu inkuadrimin e autorëve të ndaluar për arsye politike. Edhe për Camajn atdheu i vërtetë mbetet gjuha, fjala shqip, duke theksuar se poeti mërgimtar, nëse “don me mbetë ashtu si ashtë, merr frymë përmes gjuhës amtare dhe sheh dita ditës si fjalët e saj shtyhen në nënvetëdije e harrohen. Gjysma e jetës kalon në kërkimin e fjalës së vet të humbun. Ai bie në një vorbull e sillet rrethas dhe del andej kur kujtohet se bashkë me të, me poetin, ka mërgue edhe fjala.“[15] Në këto kushte, “shkrimi bahet terapi psikologjike”[16] dhe Camaj e quan fat të madh posedimin e kësaj mundësie për t’u shprehur. Në një letër drejtuar Idriz Lamajt ai thekson se nga letërsia “ka pasë gjithçka, edhe vullnetin për me jetue.”[17] Shkëputja e dhunshme nga lexuesi është brenga që e shoqëron Camajn gjithë jetën. Ndalimin e veprës letrare, “pa gjygj”, ai e cilëson si “dënimin ma të madh që mund t’i bahet një autori që shkruen në gjuhën e popullit të vet”[18]. Edhe pranimin si anëtar nderi në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës e shikon si një hap logjik për ribotimin e veprave letrare të botuara në mërgim, gjë që do t’i sjellë kontaktin aq të dëshiruar me lexuesin. Në një letër që i dërgon mikut të tij Gjon Sinishtës, një muaj para vizitës në Kosovë, Camaj shprehet se nuk e interesojnë asfare lëvdatat, por kryekreje ky kontakt.[19]
Zgjedhjen e diktuar nga dhuna e fakteve për të mos u kthyer në vitin 1933 nga udhëtimi i punës në Gjermaninë e Hitlerit, por pa dyshuar asnjëherë në fundin e regjimit nazist, Tomas Man e shpjegon jo vetëm si kusht për t’i shpëtuar përndjekjes politike, të cilën e kishte të garantuar, por dhe si një vendim të ndërgjegjshëm për të ruajtur integritetin e tij moral dhe artistik, duke i krijuar vetes kësisoj mundësinë t’i kundërvihet intelektualisht ideologjisë naziste. Këtë kundërvënie ai e bëri jo vetëm me letërsinë që shkroi, por në mënyrë aktive dhe me publicistikën e tij, konkretisht me fjalimet e mbajtura në BBC. Për këdo që kishte sy të shikonte, regjimit nazist i lexohej lufta në ballë, do të shprehej autori qysh në krye të herës në këto fjalime. Akuzës se e kundroi luftën nga lozha komode e Amerikës, shkrimtari i përgjigjet në fjalimin për Gëten, se asnjëherë nuk e ka parë veten jashtë fajit të madh të popullit të tij dhe tragjedisë që erdhi nga pakti me djallin, duke theksuar, se edhe pse jo çdo gjerman është fajtor, përgjegjësia është e të gjithëve. Nga kjo perspektivë si bashkëfajtor, ai nuk përpiqet aspak ta anashkalojë të vërtetën e hidhur dhe të dhimbshme të katastrofës gjermane, mjerimin gjerman. Madje duke bërë një hap më tej, ai vë gishtin mbi plagë dhe thekson se përballimi me shkaqet që çuan në këtë katastrofë do të jetë po kaq i dhimbshëm sa lufta e humbur dhe duhet bërë pa kompromise. Në kësi rastesh, shprehet ai, duhet t’i vësh gjoksin fatit. “Dhe unë po i dal përballë miqësisë dhe urrejtjes. Miqve, për të mos i lënë në baltë, armiqve, për të mos zgjuar ndjesinë se po u fshihem”.[20] Thënia e së vërtetës nuk të bën medoemos mik me bashkëkohësit. Aq më tepër në një kohë fill pas katastrofës, kur gjermanët donin gjithqysh ta harronin, ta kapërdinin, mundësisht pa e copëtuar dhe aq më pak tretur të kaluarën e tyre poshtëruese. Qasja historike me të shkuarën në Gjermani në të vërtetë filloi vetëm në vitet 1986-87 me debatin publik të historianëve[21], kurse “mysafiri nga Kalifornia”, siç thirrej me qesëndi Tomas Man në Gjermaninë e pasluftës u akuzua nga një pjesë e madhe e bashkëkohësve të tij si i ftohtë dhe pa zemër.
Vendimi i Camajt 23 vjeçar për t’u arratisur nga atdheu nuk ka si të kuptohet tjetërlloj përveçse si një zgjedhje kundër sistemit komunist. Në të tri intervistat e sipërpërmendura, kur komenton rënien e komunizmit dhe fundin e diktaturës, Camaj thekson në mënyrë të përsëritur se nuk është njeri i politikës, por kjo nuk do të thotë aspak që nuk është njeri politik[22]. Këtë dallim ai e shpjegon me faktin se nuk është vënë në shërbim të politikës së një rryme apo ideologjie, por është interesuar për fatet e njeriut dhe në veprën e tij letrare “instinktivisht, pa paragjykime ideologjike, ka marrë anën e individit, e njeriut kall i vetëm”[23], duke mos i pranuar heronjtë, as në poezi, as në jetë, por duke i mëshuar faktit njerëzor se është më se e natyrshme, që dhe heronjtë të kenë frikë.[24] Ndonëse ka qenë i bindur për fundin e diktaturës komuniste, Camaj pohon megjithatë se nuk e ka besuar që do ta përjetonte personalisht këtë kohë.[25] Proceset e demokratizimit në Shqipëri pas rënies së komunizmit ai i vendos në një perspektivë gjithëpërfshirëse në kuadër të zhvillimeve që janë duke ndodhur në të gjithë Europën Lindore, duke theksuar rolin e intelektualëve si në proceset e demokratizimit në Shqipëri, ashtu dhe në luftën paqësore të shqiptarëve në Kosovë.[26] Konkretisht për rolin e tij si intelektual në situatën aktuale, përveçse përmes letërsisë, Camaj shprehet, se i ftuar të japë shpjegime për çështje politike që nuk i përkasin lëmit të tij, është i detyruar të merret edhe me to, “të dalë nga lëvozhga”, por duke u kufizuar në informimin për realitetin.[27] Lidhur me të kaluarën ai pozicionohet fare qartë për ta kujtuar dhe për t’u ballafaquar me të, për të falur, por jo për të harruar.[28]
Pesë vitet e para pas luftës shkrimtarëve emigrantë në Gjermani pothuajse nuk iu kushtua asnjë vëmendje. Tomas Man, së bashku me të vëllanë Hajnrih Man (Heinrich Mann), apo Bertold Breht dhe Ana Zegers ishin raste të rralla të një pranimi të pjesshëm. Shumë nga emigrantët, edhe ata që u kthyen, mbetën në hije duke mos mundur asesi të integrohen në skenën letrare. Rimarrja dhe integrimi i tyre në letërsinë gjermane vijoi ngadalë dhe në mënyrë individuale, në lidhje me përkatësitë e tyre politike dhe krahas debatit për të kaluarën naziste dhe shkaqet që çuan në katastrofën kombëtare. Gjermania e ndarë politikisht ishte truall shumë i përshtatshëm për ta ushqyer artificialisht pranimin me etiketa ideologjike, gjë që pengonte dhe vononte trupëzimin e kësaj pjese të rëndësishme të letërsisë gjermane në kuadrin e tërësishëm të saj. Në vitet 60 filloi rizbulimi dhe ribotimi i shkrimtarëve emigrantë, kurse në periudhën 1970-1980 përmes punimeve dhe monografive të veçanta shkencore u mundësua institucionalizimi i letërsisë së mërgimit (në gjermanisht: Exilliteratur). Kanonizimi në historinë e letërsisë gjermane duke i inkuadruar shkrimtarët emigrantë në tekstet shkollore dhe në literaturën universitare u arrit vetëm në vitet 90, ndërsa sot kjo letërsi e mërgimit, me autorët e saj të vegjël dhe të mëdhenj, trajtohet si rryma letrare qendrore e shekullit të 20-të.
Vendin e shkrimtarëve emigrantë Camaj e shikon në kuadrin gjithëpërfshirës të letërsisë shqipe. Ai problematizon ndarjen tash 45 vjet të letërsisë shqipe në Shqipëri, Kosovë dhe Perëndim, duke i mëshuar faktit që sistemi stalinist në Shqipëri arriti të pengojë kontaktin e natyrshëm të këtyre tri grupeve.[29] Zhvillimi i realizmit socialist në një situatë të izoluar në Shqipëri (ai e quan madje shtet-rrethim) dhe burokratizimi i autorëve sjell sipas tij “një stagnacion kronik”, dhe kështu “qet krye diletantizmi, mosdallimi i talentit nga autorë të patalentuem, numri i të cilëve shtohet nga pesëvjeçari në pesëvjeçar.”[30] Për letërsinë kosovare Camaj vë në dukje kushtet jonormale të lindjes së saj dhe zhvillimin jashtëzakonisht specifik, duke theksuar, se “iu desht të çohet në kambë me fuqi të veta fill mbas lindjes”[31]. Duke folur për letërsinë shqipe në Perëndim, ai shprehet se letërsia shqipe si e tillë, “tue nisë te ajo ma e vjetra”, ka lindur në Perëndim. Letërsia e mërgatës për të është në vijim të një pjese të madhe të veprave të Rilindjes të shtypura në mërgim, si dhe të krijimit poetik arbëresh, i cili pas vdekjes së Skiroit (1930), u ringjall me letërsinë e mërgatës (përmes Dushko Vetmos nga fundi i viteve 50) në “tribunën e përbashkët”[32] të Shêjzave. Tri apo një letërsi, shtron pyetjen Camaj në përfundim të analizës së tij. Kësaj pyetje ai i përgjigjet shumë qartë: “natyrisht një” [33], duke i mëshuar faktit se kusht për kapërcimin e “ndasive apo dallimeve përçase ka me qenë ‘harmonizimi’ i ndryshmënisë në përmbajtje e forma edhe në letërsi.”[34] Në kuadrin e këtij harmonizimi ai shikon dhe lidhjen e “fillit të këputun të traditës letrare”[35] në rastin e receptimit të autorëve të ndaluar. Në mënyrë shumë largpamëse, në një artikull të botuar në vitin 1967 tek Shêjzat, Camaj kishte vënë në dukje vështirësitë për periodizimin e letërsisë shqipe, pikërisht për shkak të tytësisë së krijuar nga ky fill i këputun, nga përjashtimi artificialisht i disa autorëve. [36]
Opinioni publik lidhur me personalitetin e Tomas Manit për vizitën e tij të parë në Gjermaninë e ndarë ishte tepër kontrovers[37], duke mos ia kursyer cilësimet në të dy kahet, nga emigranti, tradhtari, amerikani, spiuni, mysafiri nga Kalifornia, deri tek komunisti, interesaxhiu, i shituri. Me sa duket jo vetëm Gëte kishte aftësinë të bashkonte. Mediokriteti dhe mendjengushtësia ngjajnë të jenë gjithashtu një emërues i përbashkët në Gjermaninë e pasluftës, pavarësisht nga drejtimi politik. Lidhur me opinionet e skajshme për veprën dhe personalitetin e tij, Tomas Man shprehet në esenë për Gëten, se në këtë rast nuk është më fjala për kritikë letrare. Luftën kundër tij në mënyrë tejet largpamëse ai e quan një mollë sherri ndërmjet dy ideve të Gjermanisë, duke i mëshuar faktit se debati rreth personit të tij në fakt është debati për të ardhmen e vendit[38]. Në një anketim me titullin domethënës Thomas Mann and others[39], organizuar në vitin 1947 nga autoritetet ushtarake amerikane në Bavari lidhur me kthimin e intelektualëve emigrantë për të kontribuar në procesin e denazifikimit dhe në rindërtimin e vendit, shumica e të anketuarve shprehen kundër kthimit të tyre. Në krye të radhës Tomas Man cilësohet si i padëshiruar.
Duke folur për diskutimet me shkrimtarët shqiptarë në Kosovë gjatë vizitës atje, në intervistën e dhënë fill pas mbërritjes në Gjermani, Camaj shpreh drojën nga moskuptimi dhe tëhuajësimi, sepse “nuk ashtë e lehtë të jesh i kuptuem kur vjen prej një bote tjetër, me përvoja fare të ndryshme jetësore e kulturore.”[40] Po të kemi parasysh faktin që edhe sot pas 35 vjetësh krijimtaria letrare e Camajt dhe e atyre që u ndaluan për arsye politike megjithatë nuk është përcjellë denjësisht dhe thellësisht nga kritika (!) dhe rrjedhimisht as përtypur nga lexuesi, të cilit pak ose aspak i është ndërmjetësuar, frika e moskuptimit dhe tëhuajtjes, e shprehur nga Camaj, është më se e përligjur.
Lexuesi i kësaj reviste me siguri e kujton debatin e hapur pesë vite më parë për dosjen Camaj.[41] Edhe tek Camaj, ashtu si në rastin e Tomas Manit, nuk është fjala vetëm për veprën letrare (ajo zuri vend pak ose aspak në debat), por më gjerë për personalitetin e një shkrimtari. Emocionaliteti i fryrë dhe realisht pa përmbajtje, nuk bën gjë tjetër veçse fsheh mosnjohjen dhe nxjerr në pah paaftësinë për t’u përballur edhe me kundërshti dhe ambivalenca, nëse vërtet janë të tilla, në jetën e një personaliteti intelektual. Qasja e diferencuar karshi tij, lyp jo vetëm një perspektivë më të gjerë në analizë, por në të njëjtën kohë kushtëzohet dhe nga emancipimi, në kuptimin më të gjerë të këtij koncepti, i shoqërisë shqiptare. Për t’iu përmbajtur zgjerimit të perspektivës së synuar në krye të këtij syzimi, botimi i ditarëve të Tomas Manit, 20 vjet pas vdekjes së tij (1975), qe një sfidë për shoqërinë gjermane. Prirjet homoseksuale, ambivalencat dhe kontradiktat në jetën private dhe politike e lëkundën ndjeshëm imazhin e nobelistit, por përballja me kufijtë e zgjeruar të qasjes ndikoi në ravijëzimin e një perceptimi të ri dhe më të nuancuar të shkrimtarit në fjalë, i cili absolutisht nuk çmohet më pak në këtë perceptim të ri, përkundrazi.
Në përmbyllje të këtij syzimi të shkurtër le t’i vëmë përballë njëri-tjetrit dy mjeshtrit e fjalës për t’i shijuar në zejen e tyre. Në faqet e fundit të romanit Rrathë Camaj përshkruan vdekjen nga infarkti të Bacit apo Folkloristit. Një vdekje e beftë, detajet e së cilës shtrihen të ndërkallura në tri-katër faqe[42].
Ndonëse ngjitja ishte mjaft e vutë, Folkloristi ecte mundshëm. Tha me vete se aq mundshëm nuk paskej ecë në jetë dhe u ndal në çdo kthesë për t’u shlirue prej frymës që po i plaste dërrasën e krahnorit dhe brijët. […] Shi në ato fjalë krisën në katund një rresht shtimjesh me armë zjarrmi, pa rregull, ashtu si plasin gështenjat e njoma në prush. Folkloristi u zbe si ta kishin marrë dikund në trup ata plumba dhe puçërriza djersësh ia rinë ballin. […] Zemra i rrahte pa rregull në parzëm dhe kumbonte si me dashë të gjejë një shteg për të dalë. – Edhe unë gjithë ditën qëndrova pranë kronit …edhe ndoj plumb mund të më ketë marrë … Dhe shtrëngonte në grusht anën e majtë. – Si kafshim bishe … tmerr! – Fshani i mbytun në djersë dhe pyeti: – Kush do të jetë dorasi? […] Shtrëngoi me duer kryet e leshtë të ujkut që thellë e ma thellë ia ngulte dhambët në parzëm e sndjeu ma gja. U ba gurë e krejt sy pau fare qartë se heroi i qëlluem me shtizë në parzëm, me shtizë druni, u rrëzue e ra përdhe në gjakun e vet.
Një vdekje e beftë është dhe ajo e Tomas Budenbrokut në sagën familjare me të njëjtin emër, sagë që i dha famë autorit të saj qysh në moshën 25 vjeçare. Diagnoza në këtë rast është goditje në tru dhe fillon me një heqje dhëmbi, dhimbja e të cilit në fakt fsheh shkakun e vërtetë (e ashtuquajtura sindroma Budenbrok në hapësirën gjermanishtfolëse). Përshkrimi është tepër lakonik, por me një simptomatikë të qëlluar. Edhe më vonë, veçanërisht përmes figurës së dr. Berensit (Behrens) në Malin magjik, Tomas Man do të ofrojë njohuri terminologjike dhe një procedurë diagnostikimi çarmatosëse për nga thellësia dhe saktësia.
Të shkonte në shtëpi dhe të prehej, të përpiqej të flinte. Dhimbja e vërtetë e nervit me sa duket ishte mpirë, duke i lënë pas në gojë një pelte të errët djegëse. Drejt e në shtëpi… Ai filloi të ecë ngadalë përgjatë rrugëve, duke iu përgjigjur mekanikisht përshëndetjeve që i drejtoheshin, me një vështrim përsiatës dhe të pasigurt, sikur të ishte duke u menduar se si ndjehej në të vërtetë. Mbërriti në rrugën Gropa e Peshkatarëve dhe filloi të ecë më tej. Pas njëzet hapash ndjeu t’i përzihej. Do të hyj në lokalin përballë për të pirë patjetër një konjak, mendoi duke përshkuar rrugën e shtruar. Kur arriti në mes të saj, i ndodhi sa vijon. Iu duk sikur një forcë e parezistueshme ia ngërtheu trurin dhe me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe, marramendëse, filloi t’ia rrotullonte në rrathë bashkëqendrorë të mëdhenj që erdhën duke u zvogëluar, dhe së fundmi ajo forcë ia përplasi atë me një egërsi të pamasë, brutale dhe të pamëshirshme kundër bashkëqendrës së ngurtë të atyre rrathëve… Ai bëri një gjysmërrotullimi dhe u përplas me krahët e hapur mbi kalldrëmin e lagësht.[43]
Një malësor dhe një aristokrat përshkruar me një kolorit të pashoq në drithërimën e fundit. Pikënisja e përbashkët është pikërisht regëtima e mbrame e jetës. I pari shuhet siç ka jetuar, në botën e heronjve të tij, i dyti përçon edhe në frymën e fundme një akullsi, që të bën të rrëqethesh duke ndjerë gati fizikisht lagështinë e plloçave të kalldrëmit. Ajo që mbetet në të dy rastet (për fat!) është gjurma e patjetërsueshme e stilit, në fakt pikënisja e vërtetë.
(c) 2025 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.
[1] Camaj, Martin (1991): Schirò dhe Pirandello. Në: Klosi, Ardian (botues): Shqipëria zgjim i dhimbshëm. Tiranë, f. 78.
[2] Në vitin 1930 Tomas Man mban në Berlin Fjalimin gjerman. Një thirrje arsyes (Deutsche Ansprache. Ein Appell an die Vernunft), si reaksion kundrejt shtatëfishimit të prezencës parlamentare të nazistëve në zgjedhjet e atij viti.
[3] Këtë përvojë Camaj do ta shtjellojë artistikisht në figurën e cubit apo ilegalit te romani Rrathë (1978), si dhe në atë të Vonit te Karpa (1987). Në një letër drejtuar Camajt, pasi ka marrë manuskriptin e romanit Karpa nga ky i fundit, Arshi Pipa shprehet: “I dashuni Martin, Karpa mbërrini shëndosh e mirë, lidhë e shtrëngue si i karposuni në shpellë (në mos gabohem, nga nji sy që i hodha poshshkrimit, romani asht storja e atij ilegalit të mshehun në shpellën e Drinit, që më ke pas kallzue” (Arkivi Monacensia në Mynih, letër e datës 30.09.1985).
[4] Në vitin 1848 në Kishën e Shën Palit u mblodh Asambleja e Parë Kombëtare Gjermane në përpjekje për të krijuar një kushtetutë dhe një demokraci të unifikuar, kurse themelimi i Republikës së Vajmarit në vitin 1919 në Teatrin Kombëtar Gjerman hodhi themelet e demokracisë parlamentare gjermane.
[5] Mann, Thomas (2011): Ansprache im Goethejahr 1949. Fischer e-books.
[6] https://telegraf.al/kulture/martin-camaj-pishtar-i-kultures-tone-kombetare/ (së fundi më 31.03.25, 12:34).
[7] Camaj, Martin (1995): Letërsia arbëreshe në kontekstin evropian. Në: Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Përmbledhje e ligjëratave dhe kumtesave të lexuara në seminaret XV e XVI – 1989 e 1990. Botuar nga Fakulteti i Filologjisë Prishtinë, f. 139–147.
[8] Për shembull në artikujt e mëposhtëm:
Në arkivin privat të Camajt gjenden dhe manuskriptet e dy ligjëratave të mbajtura në vitin 1988 po me këtë tematikë:
[9] Mann, Thomas (2011): “dieser wahren und unverlierbaren Heimat […], aus der kein Machthaber mich vertreiben konnte.”
[10] Po aty.
[11] https://telegraf.al/kulture/martin-camaj-pishtar-i-kultures-tone-kombetare/ (së fundi më 31.03.25, 15:14)
[12] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:25). Intervista gjendet dhe në arkivin privat të Camajt me titullin: Letërsia shqiptare dhe autorët e saj (Nga shënimet për një intervistë dhanë Zërit të Amerikës).
[13] Berisha, Nikë Anton (2021): Martin Camaj: “Letërsia ashtë jeta ime e vërtetë”. – 40 letra të tij – dhe teksti i bisedës i vitit 1990. Shkup, f. 115-130.
[14] Sarno Alfonso (1996): Por edhe heroi ka frike (nga Il giornale di Napoli. 11, VI.1991). Në: Jeta e re. Nr. 1, viti XL VII, f. 145-150.
[15] Camaj, Martin (1996): Jeta e re. Nr. 1, viti XL VII, f. 92.
[16] Sarno, Alfonso (1996), f.149.
[17] Arkivi Monacensia në Mynih, letër e datës 22.08.1989 drejtuar Idriz Lamajt.
[18] Berisha, Nikë Anton (2021), f. 118.
[19] Arkivi Monacensia në Mynih, letër e datës 27.06.1990 drejtuar Gjon Sinishtës.
[20] Mann, Thomas (2011): “Nun also ich stelle mich, der Freundschaft, dem Haß. Den Freunden, um sie nicht im Stich zu lassen, den Feinden, um den Anschein zu meiden, als verberge ich mich vor ihnen.“
[21] Vendimtar në këtë debat ishte botimi në vitin 1986 i librit të historianit Ernst Nolte E kaluara që nuk do të kalojë (Die Vergangenheit, die nicht vergehen will), në të cilin autori argumentonte se Holokausti ishte një reagim ndaj stalinizmit. Intelektualë si Jürgen Habermas, Hans Mommsen dhe Saul Friedländer e kundërshtuan ashpër këtë relativizim duke i mëshuar kulturës së kujtesës për atë çka ndodhi nga një perspektivë morale dhe politike.
[22] Berisha, Nikë Anton (2021), f. 119.
[23] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:34).
[24] Sarno, Alfonso (1996), f. 149.
[25] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:39).
[26] Sarno, Alfonso (1996), f. 147.
[27] Po aty, f. 147.
[28] Po aty, f. 149.
[29] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 15:45).
[30] Po aty, së fundi më 31.03.25, 15:50.
[31] Po aty, së fundi më 31.03.25, 15:55.
[32] Për mërgatën Camaj shprehet konkretisht, se një pjesë e shkrimtarëve të saj gjeti strehim në universitetet e Europës dhe Amerikës Veriore, duke kontribuar kësisoj në letërsi (nën ndikimin edhe të rrymave moderne të kohës) dhe njëkohësisht në fushën e kërkimit filologjik (Martin Camaj, Ernest Koliqi, Arshi Pipa, Bardhyl Pogoni) ose vetëm në fushën e kërkimit filologjik (Namik Resuli, Stavro Skëndi, Jakob Marlekaj).
[33] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (së fundi më 31.03.25, 16:01).
[34] Po aty, së fundi më 31.03.25, 16:06.
[35] Arkivi privat i Camajt: Aktualizimi i poezisë fishtiane. Kumtesë e përgatitun për t’u lexue para Shoqatës „At Gjergj Fishta“ më 23 tetor 1991 në Shkodër.
[36] Camaj, Martin (1967): Pikpamje rreth periodizimit të letërsisë shqipe. Në: Shêjzat 5-8, f. 269.
[37] Vaget, Hans Rudolf (2014): Der Unerwünschte. Thomas Mann in Nachkriegsdeutschland. Në: Klostermann, Vittorio: Thomas Mann Jahrbuch, 2014, vëll. 27, f. 17-31.
[38] Mann, Thomas (2011).
[39] Jost, Hermand & Wigand, Lange (1999): Wollt ihr Thomas Mann wiederhaben? Deutschland
und die Emigranten. Europäische Verlagsanstalt, Hamburg.
[40] https://gazetashqiptare.al/2017/12/03/zbulohet-dokumenti-martin-camajt-vitit-1990-pse-nuk-pelqehet-letersia-ime-ne-shqiperi-cfare-duhet-vendit-tone/ (31.03.25, 16:16).
[41] Shih më gjerë arkivin e revistës Pejzazhe të fjalës, korrik 2020.
[42] Camaj, Martin (1978): Rrathë (=Biblioteka shqipe 1). Selbstverlag. München, f. 266-270.
[43] Mann, Thomas (2002): Buddenbrooks. Verfall einer Familie. Roman. Fischer. Frankfurt a.M., f. 749: „Nach Hause und ruhen, zu schlafen versuchen. Der eigentliche Nervenschmerz schien betäubt, es war nur ein dunkles schweres Brennen in seinem Munde. Nach Hause also … Und er ging langsam durch die Straßen, mechanisch Grüße erwidernd, die ihm dargebracht wurden mit sinnenden und ungewissen Augen, als dächte er darüber nach, wie ihm eigentlich zu Mute sei. Er gelangte zur Fischergrube und begann zu gehen. Nach zwanzig Schritten befiel ihn eine Übelkeit. Ich werde dort drüben in die Schänke treten und einen Cognac trinken müssen, dachte er und beschritt den Fahrdamm. Als er etwas die Mitte derselben erreicht hatte, geschah ihm Folgendes. Es war genau als würde sein Gehirn ergriffen und von einer unwiderstehlichen Kraft mit wachsender, fürchterlich wachsender Geschwindigkeit in großen, kleineren und immer kleineren konzentrischen Kreisen herumgeschwungen und schließlich mit einer unmäßigen, brutalen und erbarmungslosen Wucht gegen den steinharten Mittelpunkt dieser Kreise geschmettert … Er vollführte eine halbe Drehung und schlug mit ausgeschreckten Armen auf das nasse Pflaster.“/ (Përkthimi: Jonida Xhyra-Entorf)/KultPlus.com.