8 Tetor, 2024 - 4:00 pm
Mehmet Kraja
Ikja në amshim e Tahir Emrës është një lajm i trishtë, jo vetëm për anëtarët e Akademisë, për kolegët e tij, por për të gjithë komunitetin artistik të Kosovës. Si pjesëtar nga më të denjët e këtij komuniteti, bashkë me gjeneratën e krijuesve më të spikatur të këtij vendi, Tahir Emra, me shumë kurajë dhe dinjitet, të thuash në një qetësi solemne, ishte kontribues i shquar i asaj gjenerate, e cila, para se Republika e Kosovës të merrte atribute politike, arritën të ndërtonin “republikën e artit”: ta bënin Kosovën me identitet artistik!
Në suaza të kësaj tradite, Tahir Emra u identifikua pikërisht si zë identitar, që me heshtjen e tij të mençur e racionalizon retorikën dhe euforinë, në një kohë që ekspresivitetit ia gjen vendin në pikturën e tij substanciale, të sendërgjuar me një abstraksion të thuash gjenetik, primordial.
Piktura e Tahir Emrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për interpretim, për kritikë dhe analizë, jo vetëm pse i përket artit abstrakt dhe hermetik, por më shumë për faktin se piktura e tij e tejkalon “lehtësinë e papërballueshme” të interpretimit të mesazheve të drejtpërdrejta. Ajo nuk manifeston, ajo nuk mban etiketa njohëse dhe as shpjeguese, ajo thjeshtë nxit për meditim për kuptime të thella ekzistenciale, ndonjëherë më të afërta, ndonjëherë krejt të largëta.
Koha kur u realizua opusi artistik i Emrës, kur panë dritë pikturat e tij më të rëndësishme dhe kryesore, ishte kohë e vështirë, kohë kur, njësoj si në letërsinë tonë të atëhershme, veçmas në poezinë, të shprehurit artistik duhej ta mënjanonte narracionin e drejtpërdrejtë dhe duhej të kalonte përmes mesazheve të koduara dhe konteksteve universale.
Piktura e Tahir Emrës e gjeti rrugën e saj konsekuente dhe krejt të veçantë, për të mbijetuar të gjitha kufizimet dhe sfidat, për të ardhur deri në ditët e sotme si një pasuri artistike që i ka qëndruar kohës dhe, jemi të bindur, do t’i qëndrojë edhe për një kohë të gjatë.
Për veprën e Tahir Emrës do të shkruhet edhe në të ardhmen, sepse secila kohë do të gjejë kontekstin e saj në këto abstragime pikturave.
Piktura e Tahir Emrës është art i Kosovës dhe për Kosovën!/ KultPlus.com