16 Korrik, 2022 - 1:30 pm
Pingpongistëve kosovarë u është mohuar pjesëmarrja në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21 që po mbahet në Beograd, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, Komiteti Olimpik i Kosovë e ka konsideruar përzierje të politikës serbe në sport duke diskriminuar pjesëmarrësit kosovarë.
Në vijim gjeni postimin e Komitetit Olimpik të Kosovës:
Politika serbe sërish përzihet në sport, pingpongistëve kosovarë iu mohohet pjesëmarrja në Evropian!
Politika serbe vazhdon të përzihet në sport, dhe atë duke diskriminuar sportistët tanë.
Rasti i fundit ndodhi me pingpongistët tanë, të cilëve iu mohua pjesëmarrja me të drejta të barabarta me shtetet tjera në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21, që po mbahet në Beograd të Serbisë.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë.
KOK shpreson që Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të Evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë./ KultPlus.com