Pipa: Parandalim i shkatërrimit dhe dëmtimit të pasurisë kulturore

17 Dhjetor, 2024 - 1:01 pm

Në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, u zhvillua mbledhja e radhës e Komisionit për Politikën e Jashtme.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dy projektligje.

Për projektligjin “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprat penale që lidhen me pasurinë kulturore, bërë në Nikosia, më 19.5.2017”, të ftuar ishin Lira Pipa, zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe stafi shoqërues.

Në prezantim të këtij projektligji Pipa, u shpreh se, qëllimi i ratifikimit të kësaj konvente është bërja e këtij akti ndërkombëtar pjesë të kuadrit ligjor të brendshëm, duke synuar kështu parandalimin e shkatërrimit, dëmtimit dhe trafikimit të pasurisë kulturore si dhe promovimin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar në luftimin e veprave penale që lidhen me pasurinë kulturore.

Relatori Petro Koçi tha se ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Veprat Penale që lidhen me Pasurinë Kulturore qëndron në kuadër të bashkëpunimit me vende të tjera, me qëllimi parandalimin e shkatërrimit, dëmtimit dhe trafikimit të pasurisë kulturore.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës për zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (smart labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”” të ftuar ishin Kesiana Halili drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit Publik, Elona Mistrovica drejtoreshë në drejtorinë e Marrëdhënies së Sigurimit dhe Ndihmës së Huaj, etj.

Halili, në fjalën e saj të prezantimit të këtij projektligji, u shpreh se ky projektligj synon ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (Smart Labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, me qëllim akordimin e një huaje, në shumën 27 000 000 euro, për projektin e mësipërm. Ky projekt bashke financohet nga një grant ËBIF, në shumen 10 milionë euro.

Relatorja e çështjes, Klodiana Spahiu, vuri në dukje se faza e tretë e këtij projekti, synon ta shtrijë këtë iniciativë në 615 shkolla te vendit, duke rezultuar ne 654 Smart Labs-e të rinj. Kjo nismë gjithëpërfshirëse po revolucionarizon mënyrën se si teknologjia dhe kodimi mësohen në shkolla, duke përgatitur studentet me aftësi thelbësore për të ardhmen.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme