13 Janar, 2021 - 6:57 pm
U treguan aq të vendosur, aq të palodhur, duke na mbajtur në burg, saqë persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik.
Në një prej fletëve të ditarit të Musine Kokalarit mbajtur në vitin 1979-1980, shkrimtarja dhe intelektualja e kulluar artikulon një të vërtetë të hidhur.
Edhe pse në pak radhë, ajo arrin t’i bëjë një skaner metodologjisë mizore të regjimit, për të shkatërruar gjithë shtresën e intelektualëve dhe kundërshtarëve të regjimit.
Kokalari e sheh thelbin e suksesit të komunistëve jo te mençuria e tyre, por tek vendosmëria e tyre për të vijuar me çdo formë shtypjen, dhunën dhe persekutimin e gjatë e të pambarimtë ndaj kësaj shtrese kundërshtare, duke pritur me durim që ata ta braktisnin qëndresën një nga një.
Ja çfarë shkruan Kokalari në ditarin e saj:
“Një e vërtetë e hidhur! Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të mërrnin një vend të mirë në jetën e lirë.
Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, saqë persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.
Por prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë…”/ kujto.al/ KultPlus.com