Planeti në rrezik, thyhet rekordi i nxehtësisë në oqeane

4 Gusht, 2023 - 2:25 pm

Në ujërat e oqeaneve është regjistruar një tjetër rekord nxehtësie. Temperatura mesatare ditore globale e sipërfaqes së detit ka kaluar këtë javë një rekord të vendosur në vitin 2016, sipas shërbimit të BE-së për ndryshimet klimatike Copernicus.

Sipas matjeve, temperatura në oqeane këtë javë shkoi në 20.96 C. Këto vlera janë shumë herë më të larta se mesatarja për këtë periudhë të vitit.

Oqeanet janë një rregullator jetik i klimës. Ata thithin nxehtësinë, prodhojnë gjysmën e oksigjenit të Tokës dhe nxisin modelet e motit.

Ujërat me temperatura më të larta se normalet kanë më pak aftësi për të thithur dyoksid karboni, që do të thotë se më shumë nga ai gaz që ngroh planetin do të qëndrojë në atmosferë.

Ky “reaksion zinxhir” mund të përshpejtojë shkrirjen e akullnajave të cilat rritin nivelin e deteve.

Oqeanet më të nxehta dhe valët e të nxehtit shqetësojnë speciet detare si peshqit dhe balenat ndërsa lëvizin në kërkim të ujërave më të freskët, duke prishur zinxhirin ushqimor. Ekspertët paralajmërojnë se mund të preken rezervat e peshkut.

Disa kafshë grabitqare, duke përfshirë peshkaqenët, mund të bëhen agresive pasi ngatërrohen në temperatura më të nxehta. Shkencëtarët janë gjithashtu të shqetësuar për kohën e këtij rekord të thyer.

Dr. Samantha Burgess, nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus, thotë se marsi duhet të jetë muaji kur oqeanet në të gjithë globin pësojnë ngrohje, jo gushti./ a2cnn / KultPlus.com

Të ngjajshme