16 Janar, 2023 - 10:00 am
“E ardhmja do të pluskojë mbi ujë!” Kështu mendon një ekip ndërkombëtar arkitektësh dhe projektuesish të udhëhequr nga firma italiane Luca Curci Architects me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Së fundmi përmes Inteligjencës Artificiale, ata kanë publikuar planin për një qytet lundrues, i aftë të strehojë deri në 50.000 banorë. Në foto shihet se në qytet mbizotërojnë strukturat e bardha, si dhe një rrjet rrugësh në formë rrethore.
“Komuniteti që do të jetojë në këtë qytet lundrues do të ketë gjithsej 25 hektarë platforma të ndërlidhura dhe lagje të ndryshme, ku secila do të përmbajë ndërtesa të rrethuara nga disa struktura fotovoltaike që ofrojnë energji elektrike.”
Ekipi i arkitektëve
Po punohet fort edhe për çështje të tjera shumë të rëndësishme mjedisore, si p.sh mbetjet, sistemi i transportit 100% i gjelbër dhe shkripëzimi i ujit. Synimi kryesor i këtij projekti është që banorët e qytetit lundrues të kenë një jetesë më të shëndetshme, duke shfrytëzuar dhe ruajtur elementet natyrore. Ndër të tjera, qyteti pritet të jetë edhe një destinacion turistik, me hotele, qendra tregtare, qendra sportive dhe atraksione të tjera të shumta. / KultPlus.com